Publikuar me datën: Thu, Dec 20th, 2012

“Kaçakët” antievropianë

Skandalet e turpshme e frikësuese në majat e shtetit, aferat korruptuese dhe shpërthimi i dhunës verbale e fizike në Kosovë e arritën kulmin kur një ish-kryetar komune dhe kryetar dege i partisë së kryeministrit del “kaçak” në një shtet kinse ligjor: “Nuk do t’i dorëzohem drejtësisë” – thotë ai, duke e kërcënuar hapur EULEX-in, e shefi i tij hesht. Në Kosovë është suspenduar shteti ligjor – Kosova ka hyrë në kursin antievropian…

Pas valëvitjes së flamujve dhe dhënies zjarr retorikave turbonacionaliste e folklorike për një Shqipëri etnike, dhe “dhurata” retorike për një pasaportë shqiptare që kryeministri Berisha u premtoi shqiptarëve kudo që janë, për 100-vjetor, megjithatë duket se ai po rikëndellet. Nga kjo “listë e dëshirave” Berisha e hoqi Kosovën, sepse Tirana, sipas tij, do ta ndjekë kursin e mbështetjes për konsolidimin e pavarësisë së Kosovës dhe të zbatimit të Marrëveshjes kornizë të Ohrit.

Doli që në këtë retorikë mujshore me Kreshnik Spahiun dhe nacionalistët kosovarë, Berisha ta ketë trajtuar Kosovën si diasporë shqiptare, për të cilën e obligon Kushtetuta e vendit (preambula e saj) që të kujdeset, ndonëse Kosova është shpallur e njohur gati nga 100 kombe të botës si shtet sovran.

Dhe pikërisht këtu ai ia bëri vetes një kurth, nga i cili mezi do të dalë.

Etnonacionalizmi i shfrenuar si paranojë, së fundi, në anën tjetër gjuha përjashtuese ndaj opozitës si bartëse e sovranitetit të popullit (për aq sa ka vota të fituara), e cila, e indinjuar nuk votoi tri ligjet që ishin ndër kërkesat e Komisionit Evropian, si dhe dyshimet e bazuara në procesin zgjedhor, në Bruksel shihen si rezistencë shqiptare kundër Evropës dhe evropianizimit të Shqipërisë, së këndejmi vendi i shqiponjave nuk e mori statusin e vendit kandidat.

Një shans i humbur? Mos qoftë shansi i fundit!?

Sepse shqiptarët kanë ditur të humbasin epoka të tëra.

Burimi i gjithë kësaj energjie antievropiane dhe egërshane ndër shqiptarët, ku të gjithë janë kundër të gjithëve, është etnonacionalizmi dhe shmangia e debatit nga ana e shtetit dhe elitave politike e kulturore me shtetasit, për ndërtimin e një shoqërie politike liberale, me qytetarin (individin e lirë) e jo heronjtë, mitet dhe vëllazëritë e modelit sicilian në qendër.

Këndej Bjeshkëve të Nemuna, aferat e turpshme si ajo “Pronto”, skandalet korruptuese në Ministrinë e Brendshme (korrupsioni i zyrtarëve të saj që sipas dëshmitares Natali Velija e dëmtuan arkën e shtetit për 1.4 milionë euro) dhe shpërthimi i dhunës verbale e fizike s’kanë të ndalur.

Kulmi u arrit me rastin e një ish-kryetari komune dhe kryetar dege i partisë së kryeministrit, i cili del ‘kaçak’ në një shtet kinse ligjor, kur ky vend dhe njerëzit e tij ishin dorëzuar vetë para drejtësisë ndërkombëtare (Tribunali i Hagës) për hir të një procesi epokal dhe pa u shkuar, besoj, mendja që të bëjnë ‘kaçakllëk’.

“Nuk do t’i dorëzohem drejtësisë” – tha zyrtari i PDK-së, i cili madje hapur kërcënoi jo vetëm drejtësinë e vendit, por edhe sigurinë kombëtare (se ai paskësh mundësi që të shkaktonte tronditje e revoltë qytetare të përmasave kryengritëse) dhe për habinë e shtetasve, shefi i tij sërish heshti.

Nuk dua të besoj se kryeministri e inkurajon në marrjen e ligjit në dorë… Jo, absolutisht.

Ç’është e vërteta, kryeministri foli i pari kundër EULEX-it, për ta shpëlarë vetveten karshi rivalit të tij partiak, Fatmir Limaj, dhe nuk u ndal me kaq, ai u ngrit kundër vetë BE-së, pse, sipas masës së tij, evropianët nuk po e tolerojnë etnonacionalizmin dhe talebanizimin e kësaj mendësie politike të Qeverisë së tij, që ngadalë po shtrihet horizontalisht, duke “zbritur” në popull…

Pra kryeministri kosovar me pamaturinë e tij, në Vlorë e Tiranë, Prishtinë e Shkup, nuk mundi dot ta frenonte retorikën turbonacionaliste, si në rastin e Berishës, por ky, për të garuar me lëvizjen “Vetëvendosje” se cili u fryn më shumë borive luftënxitëse!?

Kryeministri i vendit me fjalimet e tij, pa sens politik dhe rezon shtetëror, po krijon ambient të përshtatshëm për shpërthimin e antievropianizmit, madje edhe dhunës, qoftë të nxitur nga nacionalistët, qoftë nga klerikët, që e duan shtetin e ri, të parët “me gjak të pastër” e të dytët, teokraci.

Zyrtari ‘kaçak’ i PDK-së hapur e sfidoi shtetin – dhe shteti në heshtje e pranoi pafuqinë e vet ose mungesën e vullnetit politik të partisë në pushtet për të qenë shtet kushtetues.

Sepse ky zyrtar jo vetëm që i ka shpallur shtetit karshillëk, por ka kërcënuar dhe shantazhuar hapur sistemin e drejtësisë në vend, kur dihet se EULEX-i vepron në suaza të kushtetutshmërisë dhe në bazë të ligjeve në fuqi të vendit dhe me miratimin e Kuvendit të Kosovës me rezolutë të posaçme.

Me këtë akt është suspenduar shteti i së drejtës (besohet përkohësisht?) dhe kanë dështuar organet e ndjekjes, gjë që nuk u falet, ngase mekanizmat e sigurisë dhe të drejtësisë nuk guxojnë të dështojnë edhe nëse dështon politika dhe kolapton një Qeveri!?

Para syve të kryeministrit pasuan akte terrori verbal dhe fizik, shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe lirive civile, në salla konferencash e zyra të shoqërisë civile, në rrugët e kryeqytetit dhe në salla sportive e mes tifozërisë gjithnjë më agresive dhe kleronacionaliste.

Kryeministri gjatë kohë i ka lëshuar punët e shtetit në duar mafiozësh e zyrtarësh publikë të lidhur me kazinotë, në duart e masave të zemëruara e të çoroditura, derisa grupet fetare, kundërqytetëruese dhe kundër modernizimit të shoqërisë, me agresivitet e plot mllef rrokën shkopinjtë e bejsbollit, për t’i rrahur qytetarët që perceptohen të ndryshëm nga ata.

Kryeministri as pas këtyre simptomave të rrezikshme për pesë ditë rresht nuk qiti fjalë nga goja, as nuk e thirri Këshillin e Sigurisë Kombëtare, as s’u bë i gjallë gjëkundi!?

Pas sulmit mbi lirinë e shprehjes dhe dhunimin e të drejtave të njeriut dhe lirive civile, reagoi ministrja e Integrimeve, sa për ta justifikuar veten si bartëse të këtij dikasteri dhe MPB-ja sa për ta larë gojën, se është në mbrojtje të rendit publik, përderisa qytetarë të frustruar, të paarsimuar e të ndikuar nga individë e grupe që haptas deklarojnë se nuk i binden Kushtetutës së vendit dhe ligjeve në fuqi, e bënin ligjin në mes të Prishtinës.

Në këtë kakofoni pushtetare, të shoqëruar me spiunazh e shpifje publike ndaj secilit që mendon ndryshe, të duket festë, madje edhe kur reagon Vlora Çitaku, kundër dhunës, ose kur e dëgjon një zyrtar të shtetit (Xhavit Haliti), që e di se ‘kaçakllëku” e shkatërron imazhin e shtetit.

Po ashtu ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ishte racional në “Interaktiv” të KTV-së.

Ai është psikiatër dhe e ka hetuar se në Kosovë ka shumë intolerancë, ku thuaja të gjithë kanë diçka kundër të gjithëve, ku të gjithë pajtohen se nuk pajtohen për asgjë, që nga politikat kombëtare e deri te ekonomia, që nga evropianizimi i vendit dhe tek të drejtat themelore të njeriut, që nga modeli qeverisës (kleptokratik) dhe mospajtimi i traditës dhe fesë me liberalizimin (vlerat e përbashkëta evropiane), që nga gjuha e deri te nacionalizmi. Dhe mjerisht në Kosovë debati as që ka nisur, sepse mujshia ballkanike ad hominem nuk lë hapësirë për të dëgjuar tjetrin dhe për t’i dhënë argumentet ndryshe.

Në këtë ambient të rrëshqitshëm e të pasigurt, natyrisht se disa çarqe, qoftë kombëtariste, qoftë fetare, po duan ta ndalin debatin me dhunë, në emër të kombit apo Zotit, hala pa ia nisur!?

Sepse hapja e debatit shoqëror druajnë mos ua deplason argumentet mbi të cilat ata e mbajnë pushtetin politik. Kjo ndodhi edhe me një tubim për promovimin e revistës “Kosova 2.0” dhe u pasua me dhunën ndaj zyrave të “Liberta” dhe qytetarëve, madje edhe të huajve. Ksenofobia dhe homofobia u pikëtakuan në mësymjet e nacionalklerikalizmit kosovar.

Kryeministri edhe në këtë rast heshti gati një javë ditë, për ta lëshuar një komunikatë tejet të zbehtë, së cilës n’katundet e Kosovës i thonë: “M’ka qu nana me la gojën”, nga droja se po humb “xhematin” e tij, që e shfrytëzon vetëm gjatë zgjedhjeve dhe e lë në mëshirën e teologëve dhe ‘seherbazëve’ bjerrakohës të skajeve më të errëta të qytetërimeve.

Sidoqoftë, Agani foli duke e dënuar dhunën, duke mos u pajtuar me të, ai së paku ndien keqardhje, sepse është i vetëdijshëm se shoqëria kosovare duhet të përpiqet t’i pajtojë traditat dhe fenë me parimet liberale evropiane, ndërkohë që pajtim nuk do të thotë gjithqysh dashuri, por së paku zvogëlim i dhunës, destruksionit dhe agresionit ndaj tjetrit, që perceptohet si i ndryshëm. Kryeministri i vendit nuk e ka guximin e duhur politik dhe qytetar që të flijojë diçka nga mbifuqia e tij në pushtet për të bërë punë të hairit dhe për t’ua bërë të qartë kosovarëve (sidomos atyre që janë mbi ligjin) se kursi proevropian është pa mëdyshje i vetmi interes madhor kombëtar i shqiptarëve kosovarë.

Antievropianizmi “haxhiqamilist” i fillimit të shekullit 20 po rikthehet në hapësirën politike shqiptare pas gati një shekulli e veçmas në Kosovë, në vendin ku të drejtat e njeriut do të duhej të merrnin fuqinë e një kodi shenjtërues, sepse Kosova është çliruar pikërisht nisur nga primesat e të drejtave të njeriut.

Është koha që të këndellet kryeministri i Kosovës për të marrë qëndrime etike si politikan dhe të guximshme si burrë shteti.

Kryeministri i vendit duhet ta rimendojë veten, shtetin dhe të ardhmen e tij.

Duhet të jetë racional dhe të ketë një mendim të diferencuar e jo spekulativ, jodashamirës dhe armiqësor për proceset politike dhe karshi qytetarëve kosovarë.

Ai nuk ka të drejtë as morale dhe as ligjore të përkulet përballë presionit të rrugës, mafisë që e ka zaptuar shtetin dhe modelit të kazinove në qeverisjen e vendit, natyrisht nëse hala është dhe do të jetë në krye të detyrës kushtetuese e qytetare.

Kryeministri duhet t’ua bëjë të qartë shtetasve (me vendosmëri dhe nën betim kushtetues) kursin evropian të Kosovës, pa mëdyshje, duke e ndalur me forcën legjitime të shtetit dhunën, spiunimin e kundërshtarëve politikë, hajninë dhe krimin dhe duke ua rikthyer kosovarëve dinjitetin, sigurinë dhe shpresën.

Ai është vonë! Nesër gjithnjë është vonë, sepse kthesa e tij është dashur të ndodhte pardje!

Nuk i falet një kryeministri që në mitingje të jetë mburravec, krenar dhe i zjarrtë në retorika, e në krye të detyrës qyqar!

Ndihmo Radio zeri mitrovices


Kontribuesit qe ndihmuan

Radio zeri Mitrovices ne menyr vullnetare

=========================

Muaji: Korik-2011

=========================

Gzim Koadralia 50 euro

_________________________

Hashim Kryeziu 35 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

Sami Zeneli 10 euro

=========================

Muaji: Janar-2012

=========================

Ilaz Azemi 40 euro

_________________________

Sami Zeneli 25 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

ERISA 15 euro

=========================

Muaji: Shkurt-2012

=========================

Gzim Halili 150 euro

_________________________

Xhafer Gjaka 50 euro

_________________________

Enver Hajzeri 25

_________________________

Muaji: Nentor-2012

=========================

Aslani Rejser (Danimark) 10 euro

_________________________

Xhevahir Gjonaj 50 euro

_________________________

Jeton Aliu 25 euro

_________________________

Sponzor gjeneral

VideoKlipe


Kliko ne kto ikona per ta ndegjuar radion:
Winamp windows Media Player Real Player

Dergo Urimet tuaj ne Radio Mitrovica


Fluturime nga Zvicra Kërko Fluturime te lira për Kosove Dizajn:KosovaPLUS
All Rights Reserved RadioMitrovica.eu

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close