Jahjaga kërkon liberalizimin e vizave

Berlin, 24 tetor – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga u prit sot nga presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Joachim Gauck, me nderime të larta ushtarake.
Në një takim miqësor dhe shumë të përzemërt, dy presidentët biseduan për çështje të interesit të përbashkët, marrëdhëniet bilaterale, procesin e integrimeve evropiane, si dhe për zhvillimet demokratike në vend.
Pasi i shprehu falënderimet më të përzemërta në emër të qytetarëve të Kosovës për përkrahjen e madhe që Gjermania i ka dhënë vendit tonë, ndihmë kjo që ka qenë shumëdimensionale dhe ka prekur çdo aspekt të rindërtimit të Kosovës, Jahjaga duke folur për perspektivën evropiane, tha se vendi ynë nuk do shkurtim të rrugës evropiane, sepse ka nevojë për reforma të thella që do të jenë në shërbim dhe në dobi të vet qytetarëve të Kosovës, por ka nevojë për përfshirje në procesin e liberalizimit të vizave, sepse ka mbetur vendi i vetëm në rajon që nuk është përfshirë në këtë proces, thuhet në kumtesën e Presidencës.
Jahjaga foli edhe për procesin e dialogut me Serbinë, duke konkluduar që, pasi të jenë shterur të gjitha çështjet mes dy vendeve të pavarura dhe sovrane, ai proces duhet të përmbyllet me nënshkrimin e një traktati me peshë ligjore, që do të ishte edhe baza mbi të cilën të dyja vendet do të merrnin përgjegjësitë për anëtarësim individual në BE.
Presidenti gjerman, Joachim Gauck, ndërkaq, theksoi se perspektiva evropiane e Kosovës dhe e gjithë rajonit të Evropës Juglindore është e qartë dhe vlerësoi se është e nevojshme përmbushja e standardeve dhe kritereve të përcaktuara. Ai u interesua edhe për zhvillimet politike në Kosovë, dhe në veçanti për procesin e zhvillimit ekonomik, si dhe mundësinë e investimeve të huaja në vend.