Iniesta: Guardiolan e kam idol

Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, thotë se rikthimi i Pep Guardiolas në Barcelonë do të jetë shumë “special”.
Guardiola ishte trajner i katalunasve gjatë periudhës 2008-2012, ndërsa tani rikthehet në Camp Nou me Bayernin në kuadër të takimit të parë gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve.
“Ai është një prej dy idhujve të mi, krahas Michael Laudrupit”, ka thënë Iniesta. “Kemi ndarë disa momente me të vërtetë të mrekullueshme. Ndeshja e së mërkurës do të jetë speciale për të gjithë për shkak të kujtimeve që i kemi përherë. Do të jetë sfidë interesante mes dy skuadrash shumë të forta”.
“Ai mendon vazhdimisht se si të përmirësohet. Është trajner që ofron shumë përgjigje dhe shumica e tyre janë të sakta. Si lojtar kishte vizion të futbollit dhe e kuptonte atë. Kjo, së bashku me eksperiencën si trajner, do të thotë që është përmirësuar. Ai ishte trajner i rëndësishëm, si personalisht për mua ashtu edhe për klubin. Kemi mësuar shumë nga ai sa ishte këtu”, ka shtuar Iniesta për Uefa.com.