http://www.koha.net/repository/images/09-foto4.jpg

Fier, 9 nëntor – Një festë dhe një tragjedi për shqiptarët. Ndërsa në gjithë vendin njerëzit gëzonin heqjen e vizave dhe kalimin e lirë për në Europë, autobusi i linjës Tiranë-Athinë ka dalë nga rruga dhe ka rënë 100 metra në humnerë. Për pasojë kanë humbur jetën 9 persona, nga të cilët 8 janë identifikuar, bënë të ditur burimet zyrtare të Policisë së Shtetit, ndërsa janë plagosur rëndë 41 të tjerë, njofton sot Balkanweb.
Burime zyrtare nga dikasteri i Rendit bëjnë me dije se ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20:00, në rrugën nacionale Fier-Tepelenë, në afërsi të fshatit Ziaj të komunës së Fratarit, në rrethin e Mallakastrës. Mësohet se autobusi i kompanisë Albtrans drejtohej nga shtetasi grek Tomas Tsogas, i cili ka humbur kontrollin e mjetit.
Nga hetimet paraprake, dyshohet se aksidenti tragjik ndodhi për shkak të lagështirës së madhe në rrugë dhe motit të keq. Ndërsa pasagjerët e mbijetuar mbrëmë deklaruan se shkak i tragjedisë ishte shoferi grek, i cili gjatë gjithë rrugës i jepte shumë keq makinës.
Në spitalet e Gjirokastrës dhe Fierit po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore personat e plagosur nga ky aksident, gjendja e të cilëve nuk paraqitet problem për jetën.
Ndërkohë rasti po hetohet.