Hoxhaj vlerëson kontributin e Klaus Reinhardt për Kosovën

Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, po qëndron për një vizitë në Kosovë, ish-Komandanti i KFOR-it, Klaus Reinhardt.
Gjatë një takimi të zhvilluar të hënën, Ministri Hoxhaj e ka falënderuar Gjeneralin Reinhardt për angazhimin e madh që KFOR-i dhe ai personalisht kanë dhënë për Kosovën në të gjitha fazat, angazhim që ka rezultuar me sukses të jashtëzakonshëm veçanërisht gjatë periudhës specifike sa është komanduar nga Reinhardt.
Hoxhaj veçoi kontributin që Reinhardt ka dhënë për Kosovën në vitet 1999 – 2000 si komandant i trupave të NATO-së, periudhë në të cilën, KFOR-i, përveç angazhimit të fuqishëm për krijimin e një ambienti të sigurt në të gjithë territorin, është angazhuar fuqishëm edhe në proceset tjera që kishin të bënin me rindërtimin dhe krijimin e kushteve për jetë normale të qytetarëve të Kosovës, pas luftës.
Hoxhaj vlerësoi respektin dhe mirënjohjen e popullit të Kosovës për figurën e Reinhardt, kontingjenteve gjermane dhe tërë trupave të KFOR-it, mirënjohje dhe besim që është vërtetuar gjatë tërë periudhës së qëndrimit të KFOR-it në Kosovë.
Në nën tjetër, ish-Komandanti i KFOR-it në Kosovë, Klaus Reinhardt, është shprehur i impresionuar me progresin që ka bërë Kosova, duke vlerësuar lartë të arriturat në të gjitha aspektet e jetës në Republikën e Kosovës.
Reinhardt ka shprehur bindjen për suksesin e mëtutjeshëm të Kosovë, duke vlerësuar hapat e ndërmarra nga Kosova për ndërtimin dhe fuqizimin e shtetit.
Klaus Reinhardt gjatë qëndrimit në Kosovë do të zhvillojë vizita dhe takime me udhëheqës të institucioneve dhe jetës shoqërore në Republikën e Kosovës.