Hoxhaj paralajmëron tri njohje për Kosovën

Kosova brenda pak ditësh do të njihet edhe nga tri shtete, të cilat tashmë kanë marrë vendim për këtë. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj. Duke u përgjigjur rreth kritikave të kolegut të tij të partisë, Fatmir Limaj, rreth orientimit të gabuar të politikës së jashtme, vetëm në njohje, ministri Hoxhaj e ka mohuar këtë, duke thënë se absolutisht nuk është e vërtetë se politika e jashtme e Kosovës është orientuar vetëm në njohje.
“Politika e jashtme është prioritet i Kosovës, por ajo nuk ndryshon shpejt, jo vetëm në Kosovë, por në asnjë vend të botës. Kosova është duke bërë një politikë të jashtme shumë aktive, jo vetëm në njohje, edhe pse njohjet e reja janë prioritet për të”, ka thënë Hoxhaj në një intervistë për gazetën “Lajm”.
Ai ka folur edhe për zgjedhjet brenda PDK-së, duke thënë se personalisht nuk e ka për synim kreun e partisë, por shprehet PDK, duhet të vazhdojë për freskohet me kuadro të rinj.
Për kreun e PDK-së, kryeministrin Hashim Thaçi, Hoxhaj thotë se është një lider dhe profil përtej Kosovës i politikanit, dhe se lidershipi i tij e ka fuqizuar PDK-në.
Ndërsa aderimin e Kadri Veselit në PDK, e vlerëson si lajm të mirë, që e fuqizon PDK-në dhe Kosovën.
Ndërsa, për vendimin e qeverisë për aplikimin e vizave për disa shtete, Hoxhaj thotë se nuk do të ketë asnjë ndikim te njohjet e reja.