Homazhe në Prekaz

Skenderaj, 6 mars – Në orët e para të ditës së dytë të manifestimeve “Epopeja e UÇK-së”, sot Prekazi sërish bashkoi zyrtarët më të lartë të vendit, të cilët me homazhe përkujtuan e nderuan sakrificën e familjes ikonë të çlirimit të Kosovës, familjen Jashari.
Presidenti Pacolli ka thënë se Prekazi është bërë vendi që i bashkon të gjithë qytetarët nga Kosova. Ai ka thënë se pavarësia e Kosovës që e gëzojmë sot është fryt i lavdisë së këtyre dëshmorëve dhe dëshmorëve tjerë. “Sot i gjithë populli bënë homazhe për nder të dëshmorëve të kombit. Është ditë e bashkimit, e afrimit dhe e respektit për të kaluarën”, ka deklaruar kryeministri Thaçi Ai ka thënë se vendi ka fituar lirinë e pavarësinë dhe janë të sigurt për anëtarësim në NATO dhe BE. “Kosova është në rrugë të mirë dhe të sigurt drejt anëtarësimit në strukturat evro atlantike”, ka shtuar kryeministri. Ndërsa kryekuvendari, Jakup Krasniqi ka deklaruar se ai ka shkruar në Prekaz për shkak të përmasës së dhimbjes dhe lavdisë që ka Prekazi. “Duke i nderuar këta dëshmorë, ne i nderojmë të gjitha familjet e dëshmorëve dhe popullin shqiptar”, ka deklaruar Kraniqi. Në Prekaz sot kanë bërë homazhe edhe delegacione të shumta partish politike, të komunave dhe të qytetarëve nga të gjitha hapësirat kombëtare.
Ndërkohë, në ambientet e Teatrit Kombëtar në Prishtinë do të mbahet një akademi në shenjë nderimi për dëshmorët e rënë.
Manifestimi “Epopeja e UÇK-së” filloi të shtunën në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë. Ndërsa të hënën, ditën e tretë, në Prekaz mbahet manifestimi përfundimtar ”Nata e Zjarreve”, dhe koncerti në sheshin “Adem Jashari” në Prekaz.