Publikuar me datën: Tue, Apr 30th, 2013

Historia e tre luftëtarëve shqiptarë, të vrarë në Siri

Vlora ishte qyteti i lindjes, ndërsa Damasku, shtëpia e tij. Jeta e Ermal Xhelos, 35-vjeçarit të pasionuar pas kulturës siriane ishte e ndarë për 9 vjet mes dy botëve, deri në zgjedhjen fatale: luftë deri në vdekje kundër regjimit të Bashar al-Assad.Në shtëpinë e tij në Vlorë, derën e hap një grua rreth të 60-ave, e veshur krejt në të zeza. Dyshuese për të panjohurin që sheh përballë, Vahide Xhelo na pret me një pyetje. “Mos jeni gjë të SHIK-ut?” , thotë ajo, e pasi bindet për të kundërtën, na fton në apartamentin modest, që ndodhet në katin e gjashtë të një pallati në lagjen “Pavarësia”, shkruan gazeta “MAPO”.

Tregon se Ermali iku për herë të fundit drejt Sirisë në gusht të vitit të kaluar. Prindërve u tha se do të ikte në Turqi për të takuar baxhanakun, që ishte zhvendosur atje nga rreziku i luftimeve në Siri.

“Iku pa më thënë gjysmë fjale, pa më thënë se ku do të shkonte. Tani rri qaj këtu. Vuaj si nëna për birin e vdekur”, shprehet me lot në sy ajo, pa mundur të kuptojë luftën e të birit.

Ermal Xhelo është një nga tre shqiptarët që luftuan përkrah forcave antiqeveritare dhe u vranë në Siri. Lajmi për vrasjen e tij mbërriti si bombë në Vlorë, në dhjetor 2012, ndërsa trupi i pajetë, pak ditë më vonë. Nëna e tij tregon se ai kishte shkuar atje për të mësuar gjuhën arabe e më pas ishte njohur me Kitamin, një vajzë nga Damasku, me të cilën ishte martuar.

Djalë i një ish-të përndjekuri politik, Ermali kishte nisur një jetë të re në Siri, derisa trazirat e vitit 2011 kthyen gjithçka përmbys. Ndërsa nëna e tij tregon, në dhomë hyn nusja e Ermalit, e veshur me hixhab, e cila ndodhet në Vlorë bashkë me tre fëmijët që prej dhjetorit të vitit 2011.

Kitami tregon me një shqipe të çalë se Ermali nuk kishte asnjë interes të bëhej teolog. Thotë se jetesën e fitonte përmes menaxhimit të një picerie, ndërsa me nisjen e luftës, shpresa e të dyve ishte që gjithçka të përfundonte shpejt. Kur ishte shtatzënë me djalin e tretë, Ahmedin, vendosën të vinin përkohësisht në Shqipëri.

Gjithmonë duke menduar se lufta do merrte fund shpejt.

“Aeroporti ende punonte i qetë dhe nuk kishte probleme. Edhe bileta gjendeshin pa shumë problem”, thotë Kitam, e cila tregon më pas se mbërrin në Vlorë pas një nate qëndrimi në Stamboll. Por çfarë e shtyu Ermalin të rikthehej në Damask, për t’u bërë pjesë një lufte, fundi i së cilës duket ende i largët?

“Iku, sepse Siria ishte vendi i tij. Nuk e shtyu asnjë njeri”, thotë e veja e Ermal Xhelos, e cila mohon dyshimet se i shoqi kishte lidhje me grupet ekstremiste.

Raportet nga vendet perëndimore tregojnë se qindra evropianë kanë udhëtuar drejt Sirisë, për të luftuar kundër regjimit të Al Assadit. Gazeta “Indipendent” vlerëson se më shumë se 100 britanikë luftojnë në Siri; “Le Figaro” raporton për 50-80 francezë, “Der Spiegel” flet për duzina me gjermanë, ndërsa gjithë sa dihet në Shqipëri, është lajmi për tre të vdekur.

Shqiptarët dhe kosovarët që luftojnë përkrah forcave rebele përmenden edhe në një vëzhgim të Qendrës Ndërkombëtare për Studime mbi Radikalizimin të King’s College në Britani.

“Mobilizimi në konfliktin sirian është më domethënësi se në çdo konflikt tjetër i armatosur në kohët të fundit”, thotë drejtori i Qendrës, Peter Neuman, i cili shpjegon se shumicën e njoftimeve për martirët e luftës në Siri i kanë gjurmuar në sitet online të xhihadistëve.

“Siria është historia e vërtetë. Nëse e fut veten në mendjen e një xhihadisti, do të doje të luftoje në zemrën e botës Arabe”, thotë profesori i Kings College.

Në Shqipëri, njerëzit e Islamit kanë të dhëna për rreth 50 besimtarë, të përfshirë në luftimet e përgjakshme kundër regjimit të Al Assad. Megjithatë, askush nuk mund të thotë me siguri se sa dhe kush janë luftëtarët shqiptarë të forcave rebele. Bashkë me Ermal Xhelon, numërohen tre shqiptarë dhe dy kosovarë të vrarë gjatë vitit të fundit.

Anri Maliqi është shqiptari i dytë që gjeti luftën dhe vdekjen në këtë vend të botës Arabe. Familja e tij, e shoqja dhe tre fëmijët jetimë banojnë në fshatin Prush të Tiranës. Trokitjes në portën e shtëpisë 2-katëshe i përgjigjet gruaja e veshur në të zeza.

“Nuk dua t’i bini më derës. Nuk dua të më shqetësoni më për këtë punë”-thotë ajo, duke tërhequr pas vetes portën e zezë të shtëpisë. Një burrë tek të 50-at, që e sheh gjithë skenën thotë se e ka kushërirë, gruan e Anri Maliqit. “Ka mbetur me tre fëmijë jetimë. Nga ana ekonomike e ndihmon i ati. Përpara se të shkonte në luftë, Anri bënte ndonjë punë, por tani e kanë të vështirë”, tregon ai, duke shtuar se askush nga familja e të vrarit në Siri nuk dëshiron të flasë me median.

Në një bisedë telefonike me “Shqiptarja.com”, nëna e Anri Maliqit ka pohuar kohë më parë se lajmi për vdekjen e të birit i mbërriti në celular nga një numër i panjohur. Njësoj si Vahide Xhelo, edhe ajo ishte “gënjyer” prej të birit, i cili para nisjes në luftë, i kishte thënë se po udhëtonte drejt Turqisë. Raportime për lajmërime vdekjesh nga numra të panjohur ka edhe në Kosovë, në rastin e Naman Demollit.

Mediat kosovare raportojnë të njëjtën skemë: u kishte thënë familjarëve se do të shkonte në Turqi, por një mesazh u bënte me dije se ishte vrarë gjatë luftimeve në Alepo. Në fshatin Prush, ku banonte Anri Maliqi, ende nuk i kuptojnë arsyet e luftës së tij. Në xhaminë e këtij fshati, falja e së premtes udhëhiqet nga imami Idriz Zeneli.

“Lutjuni Allahut për mëshirë dhe paqe”, është një nga fjalitë që i rrjedhin lirshëm hoxhës me flokë të thinjura, ndërsa zëri i tij kapërcen muret e xhamisë së vogël të fshatit.

Imami tregon se nuk e ka njohur Anri Maliqin, i vrarë në nëntor të 2012, por di se ai është falur disa herë në xhaminë e fshatit.

“Nuk e mbaj mend. Ajo që di është se ai falej tek një xhami që ndodhet në Unazë të Re”,thotë Imami. Idrizi i përket linjës tradicionale të besimit Islam dhe nuk i kupton arsyet apo dëshirën për t’u bërë hero në vend të huaj.

“Vajtja në luftë në një vend të huaj mund të ketë shumë arsye, por ata mendojnë se bëhen heronj. Nuk mund të bëhesh hero duke luftuar për një vend të huaj, kur ke lënë fëmijët e tu jetimë, gruan e ve dhe prindërit me zemër të ngrirë”, thotë Imami, ndërsa shpreh dyshime se këta njerëz janë të keqdrejtuar nga ndonjë person i dalë nga rruga e drejtë e Islamit.

Imami i xhamisë së Prushit është gjithashtu i shqetësuar për ndasitë mes myslimanëve apo për disa objekte kulti, që nuk kontrollohen prej Komunitetit Musliman apo autoriteteve shtetërore.

“Këta njerëz mund të na dëmtojnë, mund të nxisin dhunë fetare pas kthimit në Shqipëri, mund të sjellin një këndvështrim ekstremist”, thotë Zeneli, i cili bën thirrje që njerëzit të kontribojnë më së pari në përmirësimin e shoqërisë ku jetojnë.

Në Unazën e Re, xhamia 4-katërshe dallon së largu prej të tjerave. E veshur e tëra me material hidroizolues, objekti i kultit ngjan me një kompleks të mirëinvestuar.

Është xhamia kur predikon Abdurrahim Balla, ish- ligjërues në xhaminë “Dine Hoxha” në rrugën e Kavajës. Imamin nuk e gjejmë në xhaminë ku falej Anri Maliqi, por besimtarët na thonë se pritet të mbërrijë shpejt. Pak minuta më vonë zbret nga një makinë rrëzë xhamisë: dallon nga mjekra dhe pantallonat mbi kërcinjtë e këmbës. Pranon hapur se nuk ka asnjë lidhje me Komunitetin Mysliman, e madje është i revoltuar me këtë institucion.

“Ky komunitet nuk përfaqëson myslimanët e po vjedh pronat e tyre”, akuzon Abdurrahimi, duke thënë se qëndrimet e tij i dinë tashmë të gjithë. Kur e pyesim për Anri Maliqin dhe vrasjen e tij gjatë luftës në Siri, imami e cilëson vendimin e tij si diçka personale.

“Vajtja e një personi në luftë është diçka shpirtërore e njeriut. Ai vetëm mund të vendosë nëse duhet të shkojë apo jo”,- përgjigjet ai. Nuk pranon të ketë nxitur besimtarët për t’iu bashkuar forcave antiqeveritare në Siri, por nuk e mohon se predikimi i tij përmend hera-herës edhe Xhihadin. Ndërsa nxiton të futet në xhami, imami pyet: “Nëse Kurani përmend Xhihad, pse unë nuk duhet ta përmend!”.

Shqiptarët e vrarë në Siri:

Ermal Xhelo, 35 vjeç, nga Vlora

Anri Maliqi, 33 vjeç nga Prushi i Tiranës

Denis Jangulli, 30 vjeç nga Dibra, me banim në Tiranë ( i pakonfirmuar).

Naman Demolli, nga Kosova, rreth 30 vjeç

Muhamed Kopriva, 22-vjeçar, nga qyteti i Mitrovicës

Ndihmo Radio zeri mitrovices


Kontribuesit qe ndihmuan

Radio zeri Mitrovices ne menyr vullnetare

=========================

Muaji: Korik-2011

=========================

Gzim Koadralia 50 euro

_________________________

Hashim Kryeziu 35 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

Sami Zeneli 10 euro

=========================

Muaji: Janar-2012

=========================

Ilaz Azemi 40 euro

_________________________

Sami Zeneli 25 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

ERISA 15 euro

=========================

Muaji: Shkurt-2012

=========================

Gzim Halili 150 euro

_________________________

Xhafer Gjaka 50 euro

_________________________

Enver Hajzeri 25

_________________________

Muaji: Nentor-2012

=========================

Aslani Rejser (Danimark) 10 euro

_________________________

Xhevahir Gjonaj 50 euro

_________________________

Jeton Aliu 25 euro

_________________________

Sponzor gjeneral

VideoKlipe

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close