Hillary Clinton, së shpejti në Shqipëri

Në Dubrovnik të Kroacisë ku është duke u zhvilluar samiti “Shtet-ndërtimi dhe eksperienca europiane“, kryeministri Berisha është takuar me zëvendëssekretarin e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve z.Philip Gordon.
Siç njofton zyra e shtypit në kryeministri, Zv/sekretari i Departamentit të Shtetit Gordon shprehu kënaqësinë që takohej me kryeministrin Berisha dhe i përcolli atij përshëndetjet e Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton dhe i rikonfirmoi dëshirën e saj për të vizituar së shpejti Shqipërinë.
Kryeministri Berisha shprehu gjithashtu kënaqësinë e veçantë që takohej me z, Gordon dhe i kërkoi atij t’i ripërsërisë sekretares Clinton se shqiptarët do të jenë shumë të lumtur e krenarë ta presin atë, si mike të madhe e të shquar të Shqipërisë dhe kombit shqiptar, në këtë vit jubilar e historik të 100-vjetorit të pavarësisë. Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe ecuria e reformave në të gjitha fushat.
Kryeministri Berisha e njohu zevendessekretarin Gordon me hapat e ndërmarrë gjatë kësaj periudhe, në veçanti, për përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian, ecurinë pozitive të reformës zgjedhore, por edhe nismën shumë të rëndësishme të deputetëve të koalicionit qeverisës për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët. Gjithashtu kryeministri Berisha pati një takim me zëvendëskancelarin dhe ministrin e Jashtëm të Austrisë, zotin Michael Spindelegger i cili në kuadër të 100 vjetorit të Pavaresisë premtoi se përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut do të sillen në Shqipëri për t’u ekspozuar për kremtimin e kësaj ngjarjeje historike