Hannes Swoboda e quan absurd raportin e Dic Martyt

Strasburg, 20 janar – Ditën e dytë të qëndrimit në Strasburg, ushtruesi i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi zhvilloi një takim pune me Grupin Punues për Ballkanin, i përbërë nga eurodeputetët, të cilët ndajnë interesin për Ballkanin dhe i themeluar nën kornizën e Komisionit për Punë të Jashtme, bëri të ditur Departamenti i informacionit dhe komunikimit me publikun i Presidencës.
Ky grup drejtohet nga eurodeputeti austriak hannes swoboda, ndërsa anëtarë të tij janë edhe Doris Pack, Eduard Kukan, Jelko Kacin, Ulrike Lunacek e të tjerë.
Takimi u kryesua nga drejtuesi i grupit, Hannes Swoboda, i cili fillimisht shprehu pikëpamjet e Grupit të Parlamentarëve Evropianë në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë, e pastaj u ndal tek raporti i Dick Martyt, të cilin e vlerësoi si një raport të çuditshëm, pa substancë. Ai shfaqi një dozë kritike ndaj kolegut të tij Dick Marty në lidhje me akuzat e ngritura pa substancë si dhe për mosardhjen e tij në një takim pune që e kishte ftuar Komisioni për Punë të Jashtme. Marty nuk iu përgjigj ftesës, duke mos shfaqur një bashkëpunim me europarlamentarët rreth kësaj çështjeje.
Sipas tij edhe tërheqja paksa të Dick Martyt nga raporti i tij, dhe faktin se, siç duket, edhe ai e ka kuptuar se është një raport pa substancë.
Në vijim të takimit, në të cilin ishin të gjithë anëtarët e këtij Grupi Punues, por kishte edhe deputetë të tjerë, si Tarja Fajon dhe europarlamentarë të tjerë, u.d i Presidentit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi bëri një prezantim të zhvillimeve në Kosovë, nga dorëheqja e Presidentit Sejdiu dhe marrja e detyrës nga ana e tij, zhvillime të cilat janë në harmoni të plotë me Kushtetutën, siç janë ushtrimi i detyrës së presidentit, organizimi i zgjedhjeve të parakohshme e të tjera.
Ai gjithashtu foli lidhur me procesin e zgjedhjeve, mbarëvajtjen e këtij procesi, duke shprehur gjithashtu edhe qëndrimet e tij, të cilat i ka shprehur edhe më parë, lidhur me lëshimet të cilat janë bërë, si dhe shprehu optimizmin e tij se institucionet e pavarura të Kosovës janë duke bërë çmos që ato lëshime të përmirësohen dhe procesi të marrë një formë normale.
Duke folur rreth raportit të Dick Martyt, z.Krasniqi shprehu qëndrimin e tij dhe të institucioneve të Kosovës, se ky raport është vetëm një riciklim i hetimit që është bërë nga Tribunali i Hagës në vitin 2004 dhe që në mungesë të fakteve prokuroria nuk ka mundur të ngrejë aktakuzë.
U.d. i Presidentit, Jakup Krasniqi u përgjigj në interesimet e eurodeputetëve për çështje të ndryshme. Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek,
e cila ka folur për parregullsitë e vërejtura në zgjedhjet e fundit në Kosovës edhe në raportin e saj dhe në deklarimet e saj publike, shtroi çështjen e reformës zgjedhore në Kosovë. Krasniqi tha se sistemi i tanishëm zgjedhor në Kosovë është një sistem pothuajse unikat dhe Kosovës i duhet një reformë zgjedhore, e ndarë në zona zgjedhore dhe mundësia që edhe listat të jenë të mbyllura.
Znj. Lunacek gjithashtu foli edhe për raportin e z.Dick Marty, duke theksuar se ky raport kërkon një hetim të mirëfilltë dhe, nëse ka fakte, të vërtetohen. Po ashtu ajo theksoi se në rast që z. Marty do të ketë prova dhe nëse ato do të vërtetohen, atëherë aktorët duhet të dalin para drejtësisë. Ndërlidhur me këtë, z. Krasniqi tha se, në një rast të tillë, verdiktin dhe përgjigjen në këtë duhet ta japë drejtësia.
Raportuesi i Parlamentit Evropian, Jelko Kacin, pasi theksoi pjesëmarrjen e kënaqshme të komuniteti serb në zgjedhje, u interesua të dijë më shumë lidhur me përfshirjen e komunitetit serb në qeverisjen e vendit. Nga ana e tij, Krasniqi tha se komunitetet pakicë do të marrin pjesë në qeverisjen e vendit siç që kanë marrë pjesë edhe në të kaluarën.
Eurodeputetja Tanja Fajon hapi temën e dialogut për liberalizimin e vizave. U.d. i Presidentit të Kosovë tha se të gjitha ministritë relevante, puna e së cilave lidhet me këtë proces, si Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Punëve të Jashtme, janë duke marrë të gjitha masat dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e Bashkimit Evropian për krijimin e mundësive dhe hapjen sa më parë të dialogut për liberalizimin e vizave.
Takimi u përmbyll në një frymë miqësie dhe bindje për thellimin dhe vazhdimin e bashkëpunimit të evroparlamentarëve dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian me Kosovën.