Hani i Elezit padit Serbinë për krime të luftës

Han i Elezit, 27 janar – Legjislativi i Hanit të Elezit, të enjten, e ka mbështetur nismën e kreut të Komunës, Rufki Suma, për ushtrimin e padisë kundër Serbisë për krimet e kryera nga forcat e saj ushtarake dhe paraushtarake ndaj popullatës civile të kësaj komune gjatë luftës në Kosovë. Në këtë kontekst, njëzëri është votuar propozim-vendimi për themelimin e Komisionit komunal për grumbullimin e të dhënave për krimet e kryera. Po ashtu, pozita dhe opozita janë pajtuar që përzgjedhjen e anëtarëve të këtij komisioni ta bëjë kreu i Komunës.
“Pasi komisioni ta kryejë punën e vet, do të vendosim se në cilën gjykatë do ta ushtrojmë padinë”, ka thënë kryetari Suma. Ai ka deklaruar se padia do të hartohet në bashkëpunim me juristë dhe kryeprokurorin e shtetit. Nisma e sipërpërmendur është mbështetur fuqishëm nga Alajdin Daci (AAK), Zylbehar Hasallari (LDK), Shaban Çupi (PDK) dhe nga pjesëmarrësit e tjerë në mbledhje.
Ndonëse ka pasur mendime të ndryshme lidhur me periudhën kohore që do të përfshihet
në padi, ka mbizotëruar propozimi se ajo duhet të ushtrohet për periudhën 1989-12 qershor 1999. “Mendoj se padia duhet të bëhet për periudhën 1989-1999”, ka theksuar
këshilltari Çupi, pasi paraprakisht është dëgjuar edhe propozimi që Serbia të paditet për krimet e kryera ndaj civilëve që nga viti 1912. Propozimet e ndryshme lidhur me afatin kohor të padisë kanë bërë që vendimi për këtë të merret pas grumbullimit të të dhënave për krimet dhe konsultimit të ekspertëve.