Gjilan, u ther për vdekje i riu 21- vjeçar

Liridon Sylë Dushica, nga Gjilani, i moshës 21- vjeçare, është therur për vdekje në natën e të shtunës, në kohën kur po qëndronte në një kafiteri afër kompleksit të Shkollave të Mesme në Gjilan
Shaban Azizi, zëvendëskomandant rajonal për Operativë në Policinë Rajonale të Gjilanit, ka thënë se policia deri më tashti i ka arrestuar tre persona, nga të cilët njëri prej tyre e ka pranuar se e ka therur viktimën me thikë. Ai ka thënë se policia si provë materiale ka kapur një thikë, e cila besohet të jetë përdoruar me rastin e vrasjes.
Në polici është thënë se i dyshimti, i cili po hetohet se ka kryer vrasjen ishte bashkëmoshatar i viktimës, derisa dy të arrestuarit e tjerë janë të moshës më të re, njëri i lindur në vitin 1992 e tjetri i lindur më 1993.
Ndonëse rasti është në fazën fillestare të hetimeve, sipas policisë, hetimet e para qesin në pah se deri te therja me thikë ka ardhur pas mosmarrëveshjeve që ky grup i të rinjve kishin pasur ndërmjet veti.
Në vendin e ngjarjes, ndryshe prej herëve të tjera, kur kafiteritë ishin të mbushura përplot, këtë të diel edhe pse ka mbretëruar kohë me diell, aty është dukur numër më i vogël i njerëzve.
Trupit të pajetë të të riut 21- vjeçar, Liridon Dushica i është bërë obduksioni, kurse familja ka paraparë që varrimi i të ndjerit të bëhet në orët e pasdites në Varrezat e Qytetit në Gjilan.
Të dyshimtit për vrasje po mbahen në paraburgim, kurse hetimet e mëtejme do të japin më shumë hollësi se si ka ardhur deri te ngjarja, përfshirjen e personave të tjerë të mundshëm në këtë ngjarje, është thënë në Policinë e Kosovës në Gjilan.