Galliani kërkon një Milan më të ri dhe më italian

Shefi ekzekutiv i Milanit, Adriano Galliani, dëshiron të krijojë një skuadër më të re dhe më italiane, që nënkupton se ka pak gjasa për transferimin e sulmuesit të Bregut të Fildishtë, Didier Drogba.
“Ne duam një Milan më të ri dhe më italian. Vërtet më ka pëlqyer fundi i ndeshjes në Torino (në humbjen 2:1 në Kupën e Italisë nga Juventusi të mërkurën pas lojës shtesë) ku kemi pasur të gjithë sulmuesit e rinj në fushë. Nuk besoj se do të ketë transferime të mëdha. Nuk besoj se Didier Drogba do të kalojë në Itali”, ka thënë Galliani, përcjellin mediumet italiane të premten.
Më herët agjenti i Drogbës kishte thënë se Milani e Juventusi e kanë kontaktuar Drogbën dhe po interesohen për transferimin e tij. Drogba aktualisht është pjesë e skuadrës kineze Shanghai Shenhua.
Ndërkohë të premten është raportuar se Milani është pranë transferimit të sulmuesit të Manchester Cityt, Mario Balotelli. Por, këtë nuk e ka konfirmuar asnjëra palë, madje trajneri i Cityt, Roberto Mancini ka mohuar kategorikisht se ka ndonjë marrëveshje.
“Nuk është e vërtetë se Mario do largohet. Jam shumë i lumtur me Marion”, ka shtuar Mancini.
Milani në afatin kalimtar të janarit ka shitur sulmuesin brazilian Alexandre Pato te Corinthiansi për 15 milionë euro, ndërsa ende nuk ka bërë një transferim të ri.
Pas 19 xhirove Milani zë pozitën e shtatë në Serie A me 30 pikë dhe është plot 14 pikë larg liderit, Juventusit.