Fiorentina interesohet për Behramin

Florence, 24 gusht – Skuadra e Fiorentinas është e fundit që ka shprehur interesim për mesfushorin kosovar Valon Behrami. Interesimi i Fiorentinas për lojtarin e West Hamit është bërë i ditur të hënën nga mediumet në Itali e Angli. Mësohet se Fiorentina ka nisur bisedimet me krerët e skuadrës londineze, të cilët tashmë janë pajtuar me largimin e Behramit 25-vjeçar. Mesfushori mitrovicas më herët ka deklaruar se nuk ishte i lumtur në Londër dhe me padurim pret të rikthehet në Itali për të luajtur sërish në Serie A. Krahas Fiorentinas interesim për Behramin gjatë kësaj vere kanë treguar edhe Liverpooli, Juventusi, Roma dhe Palermo.