Filloi rikonstruimi i rrugës rajonale Haraçinë-Likovë

Shkup, 29 maj- Zëvendëskryeministri i Maqedonisë Musa Xhaferi, i shoqëruar nga zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Xhelal Bajrami, sot ka marrë pjesë në fillimin e punimeve për rikonstruimin dhe asfaltimin e rrugës rajonale Haracinë-Likovë.
Në këtë rast, zëvendëskryeministri Xhaferi theksoi se investimi në infrastrukturën rrugore mbetet prioritet i Qeverisë së RM-së dhe me realizimin e këtij projekti realizohet program i Qeverisë. “Sot këtu shënojmë fillimin e rikonstruimit dhe asfaltimit të rrugës rajonal nga Haraçina në Komunën e Likovës, përkatësisht fazën e parë të rrugës që përfshin diku 15 kilometra.
Realizimi i kësajfaze do të kushtojë mbi 2 milionë euro”, tha Xhaferi. Ai shtoi se ky projekt do të realizohet në tre faza dhe në tërësi do të kushtoj mbi 5 milion euro, ndërsa do të rikonstruohen dhe asfaltohen afër 30 kilometra. “Ky është vazhdimi i realizimit të programit qeveritar dhe partiak, ashtu edhe siç kemi premtuar.
Kjo rrugë do të jetë në shërbim para se gjithash të banorëve të të dy komunave, asaj të Haraçinës dhe Likovës”, theksoi zëvendëskryeministri Xhaferi. Ndërkohë, zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve Xhelal Bajrami theksoi se faza e parë do të përfundojë brenda një viti dhe pastaj do të vazhdojmë me rikonstruimin dhe asfaltimin e dy fazave tjera.
Bajrami tha se me fazën e parë parashihet rikonstruimi dhe asfaltimi rrugës prej në Haraçinë deri në fshatin Ropalcë të Komunës së Likovës. Ndryshe, të pranishëm në këtë rast ishin edhe kryetari i Komunës së Likovës Sadulla Duraku dhe ai i Haraçinës Brahim Ajvazi si dhe deputetë dhe funksionarë tjerë të pushtetit qendror dhe lokal.