FER-i nuk i njeh rezultatet preliminare të KQZ-së

Prishtinë, 14 dhjetor – Partia Fryma e Re ka reaguar ndaj rezultateve preliminare të zgjedhjeve për shkak të keqpërdorimeve dhe manipulimeve anembanë Kosovës. Këto zgjedhje dhe institucionet që dalin nga to janë jolegjitime.
FER nuk i pranon rezultatet preliminare të paraqitura nga KQZ ja, thuhet në reagimin e kësaj partie, të formuar kohë më parë dhe që për herë të parë hyri në garë për pushtet. Gjatë ditës së zgjedhjeve, FER-i thotë se aktivistët e saj kanë qenë dëshmitarë të manipulimeve të votës së lirë anembanë Kosovës me raste nga më të ndryshmet, si p.sh.: presioni i vazhdueshëm nga përfaqësues të PDK së në votues gjatë shënimit të votës; shitje të votave jashtë vendvotimit për 20 euro në Mitrovicë; kërcënim fizik nga përfaqësues të PDK së ndaj vëzhgueses tonë, duke mos e lejuar mbushjen e ankesës për parregullsi në vendvotim; sjellje e votave shtesë në vendvotime nga persona të dyshimtë; ardhja e kutive me shifër të njëjtë nga Drenasi në QNR; vijimi i votimit, përkundër daljes nga vendvotimi të personit përgjegjës për detektimin e gishtërinjve; vijimi i votimit përkundër mosfunksionimit të detektorit gjatë tërë ditës së votimit; mosdetektimi i sprejit në gisht nga detektorët që kinse kanë qenë në funksion.
Të gjitha këto e shumë raste të tjera të parregullsive gjatë ditës së zgjedhjeve Partia Fryma e Re i ka paraqitur pranë PZAP së bashkë me dëshmitë adekuate. FER-i beson se këto dhe shumë shkelje të tjera, të raportuara anembanë Kosovës nga ky subjekt dhe subjektet e tjera partiake, bashkë me manipulimet tashmë të padiskutueshme në Skenderaj e Drenas, ndikojnë substancialisht në rezultatet e këtyre zgjedhjeve dhe bëjnë që zgjedhjet të jenë përfundimisht jolegjitime. Për këtë arsye, edhe institucionet e dala nga këto zgjedhje nuk mund të jenë institucione legjitime, thuhet në reagimin e FER-it.