EULEX-i ka bërë edhe bastisje të tjera

Prishtinë, 7 qershor – Aksioni i Policisë së EULEX-it, i filluar para më shumë se një muaj në njërën nga Ministritë e Qeverisë së Kosovës, ka vazhduar me bastisjet edhe në institucione të tjera.
RTK-ja njofton se në aksion janë përfshirë edhe kërkimet në Kuvendin e Kosovës, për një pajisje teknike që, siç thuhet, nga një ministri është bartur në këtë ndërtesë, por nuk saktëson se në cilat ministri a institucione të Kuvendit.
Zyrtarë të misionit evropian për sundimin e ligjit thonë se aksioni për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit është shtrirë në gjithë Kosovën, megjithëse, sipas tyre, veprimet e prokurorëve ndërkombëtarë janë kufizuar për shkak të numrit të vogël të tyre.
Ata kanë thënë se bastisjet, në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, do të vazhdojnë me një intensitet të shtuar në ditët e ardhshme.
Sipas zyrtarëve të EULEX-it, nga më shumë se 1200 raste që po hetohen, 45 prej tyre janë të ndërlidhura me raste të korrupsionit, ndërkohë që vetëm Zyra e Prokurorit të Posaçëm po heton 38 raste të dyshuara për korrupsion, në një nivel të lartë.
Autoritetet në Prishtinë së fundi kanë deklaruar se do të vihen në krye të luftës kundër korrupsionit, duke i bërë me dije misionit të EULEX-it, që duhet të zbatojë vetëm mandatin e tij, të mbikëqyrësit dhe të këshilluesit