EULEX-i i shpreh Pacollit mbështetje

Prishtinë, 25 shkurt – Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli ka pritur në takim shefin e EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac, ndërkaq ky i fundit tha se EULEX do të vazhdojë të punojë në drejtim të vënies në jetë të sundimit të ligjit në Kosovë.
Pas këtij takimi të parë të presidentit Pacolli me shefin e EULEX-it të dy udhëheqësit ranë dakord për një bashkëpunim mes vete dhe një punë më të madhe në fushën e sundimit të ligjit.
Presidenti i Kosovës u shpreh i gatshëm ta ndihmojë EULEX-in në punën që bën në Kosovë. Pacolli theksoi se do të ketë bashkëpunim intensiv me EULEX-in, sepse, siç tha ai, problemet janë evidente dhe ato mund të njihen vetëm nëse trajtohen.
Ndërkohë, De Marnhac foli për angazhimin e misionit që udhëheq. Ai tha se EULEX do të vazhdojë të punojë në drejtim të vënies në jetë të sundimit të ligjit në Kosovë.
Po ashtu, shefi i EULEX-it tha se ky mision do të ndihmojë edhe institucionet e Kosovës që të punojnë më shumë rreth sundimit të ligjit.
Presidenti, Behgjet Pacolli, as sot nuk ka qenë i gatshëm t`u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve.