EULEX-i arreston pesë persona për kontrabandë me derivate

Prishtinë, 15 shtator (E plotësuar) – EULEX-i ka arrestuar pesë persona dhe ka bastisur mbi dhjetë lokacione të ndryshme nëpër Kosovë me dyshimet për kontrabandë me derivate.
Pesë të dyshuarit e këtij rasti janë arrestuar dhe gjenden në paraburgim policor, ndërkaq që edhe dy të dyshuar të tjerë aktualisht gjenden jashtë Kosovës.
Burime të “Kohës Ditore” brenda misionit EULEX, kanë bërë të ditur se katër nga të arrestuarit janë pronarë të pompave të ndryshme të benzinës, ndërkaq që i arrestuari i pestë është një qytetarë serb nga Kosova.
Aksionet e bastisjeve, kanë filluar në orët e hershme të mëngjesit të ditës së mërkurë, ndërkaq që ato kanë vazhduar edhe pasdite.
“Bastisjet janë duke u realizuar në saje të hetimeve të vazhdueshme të krimit të organizuar, dyshimet për kontrabandim me derivate, shmangie nga tatimi dhe keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.
“Në kuadër të këtyre bastisjeve, prokurori i EULEX-it në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ka autorizuar arrestimin dhe paraburgimin policor të pesë të dyshuarve. Dy të dyshuarit e tjerë momentalisht gjenden jashtë vendit…Janë bastisur katër kompani si dhe shtëpi private të shtatë të dyshuarve”, shpjegon EULEX-i.
Sipas të njëjtës kumtesë, hetimet janë duke u kryer nga departamenti ekzekutiv i policisë së EULEX-it dhe Dogana e Kosovës, nën mbikëqyrjen e prokurorit të EULEX-it të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.
Bastisjet janë autorizuar nga gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.
Ndonëse njëri nga te arrestuarit është qytetarë serb i Kosovës, ky aksion i EULEX-it nuk përfshin, veprimet e paralajmëruara nga ky mision në veri të Kosovës.
Hetimet si ky për kontrabandimin e derivateve, sipas EULEX-it do të jenë të shumta, ndërkaq që të njëjtat vlerësohen si krimi i organizuar.
Misioni i BE-së,
Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë që nga viti i kaluar ka filluar hetimet për raste të ndryshme të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, ndërkaq që nga prilli i këtij viti kanë filluar aksionet konkrete kundër këtij fenomeni duke bastisur Ministrinë e Transportit dhe Postë -Telekomunikacionit.
Në një intervistë për “Kohën Ditore”, muaj më parë kryeprokurori i EULEX-it, Johannes Vreeswijk, ka paralajmëruar zbatimin e planit “Pastrimi i tubave”, me anë të së cilit deri në shtator të vitit të ardhshëm, EULEX-i mendon ta zbres nivelin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivel të pranueshëm.
“…Korrik, gusht, shtator, tetor, nëntor….deri në shtator të vitit të ardhshëm. Është projekt njëvjeçar…Është projekt i luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit nga SPRK, tek bizneset, individët, dhe në gjithë Kosovën….Kemi filluar në prill dhe po vazhdojmë, ne po ndërtojmë sistem. Kapacitetet po ndërtohen”, pati thënë Vreeswijk.