Edhe një Berishë në ekipin e parë të Salzburgut

Sulmuesi kosovar, Mërgim Berisha, është promovuar në ekipin e parë të Red Bull Salzburgut. Berisha 18-vjeçar të mërkurën ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2020.
Ai do të udhëtojë me ekipin e Salzburgut në Dubai, ku do të kryhen përgatitjet për pjesën pranverore të elitës së futbollit të Austrisë. Pjesë e skuadrës austriake është edhe një tjetër futbollist me mbiemrin Berisha – Valoni, shkruan sot Koha Ditore.
Sulmuesi Mërgim Berisha, që është zhvilluar në klubin e Salzburgut, së fundi ishte huazuar te skuadra e Ligës së Dytë të Austrisë, Liefering dhe aty dëshmoi vlerat e tij. Drejtori sportiv i Red Bull Salzburgut, Christoph Freund, ka thënë se Berisha ka potencial për të qenë i suksesshëm. Ai ka thënë se Berisha duhet të vazhdojë të zhvillohet.
“Mërgimi është zhvilluar shumë në muajt e fundit dhe meriton të jetë në Red Bull Salzburg. Ai ka potencial të madh dhe në qoftë se vazhdon të punojë shumë, do të ketë hapësirën e duhur siç e kanë pasur shumë lojtarë të Akademisë”, ka thënë Freund.