Delegacioni kosovar jozyrtarisht, pa të drejtë adresimi

Strasburg, 25 janar – Delegacionit kosovar nuk i është lejuar pjesëmarrja zyrtare dhe as adresimi në punimet e Asamblesë, ndonëse ka pasur përpjekje për t’u arritur një gjë e tillë. Burime të gazetës kanë bërë të ditur se ka pasur përfshirje edhe të vetë qeveritarëve turq, që një gjë e tillë të arrihet, por fakti që një pjesë e konsiderueshme e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës nuk e njohin pavarësinë e Kosovës ka pamundësuar një gjë të tillë.
Të hënën në ndërtesën e Këshillit të Evropës ka qëndruar ministri në largim i Arsimit, Enver Hoxhaj, ndërkaq që të martën atij, pritet t’i bashkohen edhe anëtarët e Kryesisë së përbërjes së fundit të Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti dhe Ibrahim Gashi.
Ministri Hoxhaj ka pasur disa takime me përfaqësues të shteteve që e mbështesin pavarësinë e Kosovës, nga të cilët ka kërkuar mbështetjen në disa qëllime që Qeveria e Kosovës ka në raport me pretendimet e Martyt.
“Ne kemi kërkuar që Martyt t’i kërkohet dorëzimi i provave në EULEX dhe që të nisë një hetim sa më i shpejtë nga EULEX-i”, ka thënë Hoxhaj.
Të hënën sekretariatit të Këshillit të Evropës i është dorëzuar edhe peticioni me nënshkrimet mbi 250 mijë shqiptarëve që kundërshtojnë raportin e Martyt. Dorëzimin e peticionit e ka bërë kryetari i organizatës së veteranëve të luftës, Muharrem Xhemajli.