Del Ponte dëshiron të hetojë vetë për raportin e Martyt

Ish-prokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte shprehet e gatshme të bëjë hetime për, siç thuhet në raportin e Dick Marty-it, tregtinë me organe nga pjesëtarë të UÇK-së. Ajo në një intervistë për gazetën “Neue Zürcher Zeitung” ka thënë se ajo ka pasur pak dëshmi për aktakuzë sa i përket dyshimit për trafikim me organe, por indikacionet, sipas saj, kanë qenë serioze.
“Unë i kam përmendur në libër faktet mbi organet, në mënyrë që dikush të nisë hetimet, të cilat ne nuk arritëm t’i bëjmë. Ka pasur edhe krime të tjera, në hetimin e të cilave ne jemi penguar”, ka deklaruar Del Ponte. Sipas saj pengesa në këtë drejtim ka pasur edhe nga NATO-ja.
“Ne kishim hetuar, por u ndaluam, sepse NATO nuk dëshironte të bashkëpunojë. Për këtë publikuam një raport, por bashkësia ndërkombëtare nuk u shqetësua aq për këtë. NATO-ja kishte bashkëpunuar gjatë luftës me UÇK-në. Unë për këtë kam folur me gjeneralin e atëhershëm të NATO-s në Kosovë, por ai nuk më lejoi qasjen ndaj dokumenteve, ndërsa UNMIK-u tregoi pak interes për të sqaruar krimet”, është shprehur ajo.
Ish-kryeprokurorja e Hagës, vlerëson se tash, pas publikimit të raportit të Dick Martyt, duhet të krijohet një institucion i pavarur, ndërkombëtar, i cili do të ishte përgjegjës për hetime dhe për mbrojtjen e dëshmitarëve. “Personalisht do të më pëlqente t’i bëjë këto hetime në Kosovë. Por, po e shoh që askush nuk ka menduar për këtë. Unë e njoh mirë lëndën dhe kam lidhje të mira dhe këto hetime do t’i kryeja shpejt”, është shprehur Del Ponte.