Çoroditje e ç’orientime muzikore-kulturore !
Nga;Lek Mrijaj
“Askush si duket nuk është marrë më thellë me analizën e shkaqeve të moralitetit, jo vetëm te fëmijët, por edhe në popullsinë e rritur. Të mos flasim për një lloj stuhie, ose ndoshta indolence në fushën e kulturës e të krijimtarisë, ku, këtë e shohim të gjithë, të thuash pa ngjyrë pa ashtuqu…ajtura “kulturë masive” të thuash pa ngjyrë, pa asnjë porosi, pa asnjë kualitet. Po ta shohim në mënyrë analitike serioze gjendjen në muzikën tonë, po t’i shikojmë disa kaseta dhe shirita me “këngë popullore” dhe me humor “të ri”, patjetër do të konkludojmë se kemi arsye për brengosje, se manipulohet shumë me patriotizëm, me ndjenjat e njerëzve, me demokracinë, me shijen (pa shije) sa për të bërë biznes dhe për të fituar sa më shumë para me bejte të llojllojshme, të zbrazta, këtu e në diasporë. Dhe, kjo s’vlen vetëm për hapësirën tonë kosovare. Është problem i përgjithshëm, pa dyshim i madh. Duhet të brengosemi dhe të na kap droja të themi si dhe pse veprojnë disa njerëz me melosin tonë dhe çka na ofrojnë si këngë të ashtuquajtura popullore, ose edhe argëtuese, këtu te ne. Shpesh ndodh që të dëgjojmë këngë me melodi që s’kanë asgjë të përbashkët me melosin autentik shqiptar, të dëgjojmë ndonjë “mikst” melodish, madje edhe fjalësh, (ndonëse ato janë shqip) të këngëve turke, greke, sllave, jevge, madje edhe arabe dhe kushedi se çfarë, por që në vend të haresë e të përjetimit artistik, shkaktojnë në shpirtin tonë zemërim, hidhërim.
Pse vallë? Pse kështu?
A ekziston në ndonjë kënd të vetëdijes tonë kolektive, shtetërore, institucionale apo edhe indiduale përgjegjësia për këto dukuri? A mund të ndikojmë më kështu që t’ua premë rrugën sadopak bastardëve të kulturës sonë?A mund të na kushtojë kjo shtrenjtë si lëndim dhe krijim shprehish? Sido që të jetë, ka mundësi të veprojmë, ta shtrojmë rrugën më ndryshe, me kritere më serioze, me përgjegjësi kombëtare, që doemos duhet ta kemi, qoftë si opozitë, qoftë si opozitë, si pushtet (përkundër preokupimit me shumë probleme të rënda), por edhe si popull i zgjuar, si komb me perspektivë, që ndërlidhet dhe prore është në korrelacion me lashtësinë tonë, me veçoritë më cilësore dhe autentike të kulturës sonë. Dikush mund të thotë “ka kohë për këto punë”, sepse tani për tani jemi të ballafaquar me disa bëma të tjera, më me rëndësi. Megjithatë, është dhe duhet të jetë detyrim i dorës së parë, imperativ, pikërisht kujdesi për arsimin e kulturën, për shkencën dhe shëndetësinë, për krijimin dhe ngritjen e kuadrove të afta, do të thotë për një politikë më rigoroze kur është fjala për lëmenj, ku unë shoh boshtin e të gjitha çështjeve, madje kushtëzimin e perspektivës për një jetë më të mbarë”