Botohet bilanci zyrtar i Luftës së Kosovës: 11 840 të vrarë

Katërmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, vijnë shifrat zyrtare mbi pasojat e këtij konflikti të përgjakshëm. “Krimet e Serbisë në Kosovë 1998-1999”, “Krimet e Serbisë ndaj fëmijëve në Kosovë 1998-1999”, botime të Agjencisë Shtetërore e Arkivave të Kosovës, u promovuan dje në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Drejtori i Institutit të Historisë, Beqir Meta, historiani Maringlen Verli e të tjerë të pranishëm e quajtën një ngjarje botimin e këtyre dy librave, që dëshmojnë për herë të parë, përmes shifrash zyrtare, masakrat serbe në Kosovë. Për drejtorin e Arkivave kosovarë, dr. Jusuf Osmani, grumbullimi i të dhënave mbi vrasjet, dhunimet, shkatërrimet, depërtimet, nuk ka qenë i thjeshtë. Sipas tij, puna për grumbullimin e të dhënave është bërë në grup, me bashkëpunëtorë nga treva të ndryshme dhe me vizita pothuaj në çdo vendbanim të Kosovës. “Qëllimi themelor i botimit të këtyre librave është prezantimi i fakteve, që paraqesin dokumentacionin për krimet e Serbisë në Kosovë ndaj popullatës kosovare e posaçërisht ndaj fëmijëve gjatë viteve 1998-1999. Politika antishqiptare e serbëve është manifestuar me shekuj, me programe gjenocidale, duke filluar që nga Naçertania e Garashaninit, më 1844, e deri te programi “Patkoi”, më 1999, me synim zbrazjen e tokave nga popullsia shqiptare dhe serbizimin e tyre. Kjo luftë u zbatua nga formacionet ushtarako-policore dhe paramilitare serbe, të cilët vranë, masakruan, zhdukën, dhunuan, dëbuan dhe deportuan popullsinë civile shqiptare, i plaçkitën, dogjën dhe rrënuan shtëpitë, objektet fetare, shkollore, kulturore, ekonomike, e të tjera, si dhe vendbanime të tëra shqiptare, me synim spastrimin etnik”, tha Osmani