Bogdanoviq mohon se gruaja merr rrogë nga Prishtina

Beograd, 9 gusht – Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, ka demantuar sot lajmin se gruaja e tij, Milenka, si mësuese në shkollën në Leposaviq merr rrogë edhe nga autoritetet kosovare.
“Do të dëshiroja të kenë çfarëdo dëshmie, kontratën e punës, të nënshkruar me Ministrinë e Arsimit, qeverinë e Kosovës apo çfarëdo tjetër dhe ta publikojnë”, ka deklaruar Bogdanoviq për agjencinë Beta, pas pohimeve se gruaja e tij merr dy rroga, një nga Beogradi, dhe tjetrën nga Prishtina.
Bogdanoviq ka shtuar se drejtësinë për këtë të pavërtetë të publikuar “do ta kërkojë në gjykatë”. “E kuptoj se i jam bezdisur disave në Kosovë, por nuk kam besuar se kjo do të shkoj aq larg, të publikojnë diçka të tillë pa kurrfarë kontrolli”, tha ai.