Publikuar me datën: Wed, Apr 13th, 2011

Bllaca: Azem Syla më ka thënë “mos fol për krimet”

Prishtinë, 13 prill – Nazim Bllaca kishte marrë bekimin e Azem Sylës për ta raportuar në Polici vrasjen e Salih Gashit më 15 qershor të 1999-s, por jo edhe të Selim Broshës, Ibush Kllokoqit e atentatet kundër Adem Salihajt, Ismet Arifit, Agim Veliut etj.
Në pjesën e dytë të dëshmisë së tij kundër Fahredin Gashit, dëshmitari bashkëpunues Nazim Bllaca ka folur gjerë e gjatë për marrëdhëniet e tij me Fahredin Gashin dhe grupin tjetër që lidhej, sipas tij, me Azem Sylën.
“Azemi më ka thënë se vrasjen në Vairgovc (Salih Gashi v.j.) mund ta lajmërosh e për këto tjerat mos fol”, ka thënë Bllaca të martën në Gjykatën Supreme në Prishtinë. Ai ka treguar për takimin e parë me Azem Sylën dhe ftohjen e marrëdhënieve me Fahredin Gashin.
“Unë i kam thënë Azemit se kisha dyshimet e mia rreth këtij njeriu (Fahredin Gashit v.j.) se më ka keqpërdorur në disa raste. Në takim jemi marrë vesh që Azem Syla të ndërhyjë dhe ta zgjidhë problemin”, ka thënë Bllaca. “Azemi më ka thënë se në çka po dyshon se të ka keqpërdorur. Unë ia kam përmendur vrasjen e Varigovcit. Shefi im Azem Syla më ka thënë se kjo vrasje nuk më intereson. Për herë të parë flisja me njeriun që mendoj se ka qenë njëshi”, ka vazhduar ai gjatë dëshmisë kundër Fahredin Gashit. Në fakt të akuzuarit për vrasjen e Salih Gashit nuk po i pëlqente të martën kur Nazim Bllaca po i referohej me epitetin miqësor – “shok”. Vërejtjen për të mos e quajtur kështu e ka dhënë avokati i tij, Kolë Krasniqi, duke kërkuar nga trupi gjykues që t’ia tërheqë vërejtjen dëshmitarit kyç, i cili me dëshminë e tij të dhënë para 16 muajsh për krime të kryera pas vitit 1999 ka bërë që të paktën dy persona tashmë të përfundojnë në gjykatore në cilësinë e të akuzuarve.
“Klienti ynë ka një vërejtje. Ai po ndihet i fyer kur dëshmitari po i referohet ‘shoku im Faruku, po ndihet keq’”, i ka thënë ky avokat trupit gjykues në një zyrë pune në Gjykatën Supreme të Kosovës. Gjykimi për rastin “Bllaca” i cilësuar si një nga rastet më të mëdha të krimit në Kosovë, është zhvilluar në një nga sallat më të vogla të Gjykatës Supreme. Kjo zyrë rreth 16 metra katrorë ka qenë hapësira e vetme e lirë për mbajtjen e këtij shqyrtimi gjyqësor. Për shkak të mungesës së sallave në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, shqyrtimi gjyqësor është zhvendosur në Gjykatën Supreme.
“Dëshmitari mund të flasë si të dojë”, ka qenë përgjigjja e kryetarit të trupit gjykues.
Në pjesën e dytë të dëshmisë së tij, Nazim Bllaca është ndalur te marrëdhëniet gjatë viteve me Fahredin Gashin. Sipas Bllacës këto marrëdhënie ishin forcuar pas vrasjes së Salih Gashit më 15 qershor të 1999-s, dhe kishin vazhduar deri në vitin 2006 kur kishin nisur të zbehen për shkak, siç ka thënë ai, të biznesit.
“Gjatë periudhës tetëvjeçare sa kemi qenë shokë unë kam qenë personi i autorizuar për shitblerje të pronës. Nga ky biznes unë kam marrë përqindjen time, ai më ka besuar shumë. P.sh. ai më ka thënë me shitë diçka 50 mijë euro e nëse unë e kam shitur 70 mijë atij nuk i ka interesuar”, ka thënë Bllaca.
Dëshmitari bashkëpunues, Nazim Bllaca, ka folur për lidhjen e tij me të akuzuarin Fahredin Gashi. Ka pasur raste, ka thënë ai, që me Gashin të ketë komunikuar deri në 50 herë gjatë një dite në telefon. Por më vonë këto raporte kishin filluar të zbeheshin dhe të lindnin probleme qysh prej kohës kur kishte ndodhur një atentat kundër Hysri Ramës në vitin 2004.
“Kulmi i prishjes me shokun tim, Faruk Gashin, ka qenë më 2006 kur një pronë në vlerë prej 300 mijë eurosh i ishte shitur Fahredin Gashit. Kontrata është nënshkruar nga shoferi i Azem Sylës, Arton Vila, që ka qenë shitës. Ndërsa  blerës ka qenë Habib Cakaj”. Unë jam marrë vesh me Shaban Sylën se nëse e gjej një blerës për pronën e tij mua të m’i jepte 50 arë tokë që bëjnë 120 mijë euro”, ka thënë Bllaca. 40-vjeçari nga Ribari i Madh ka thënë se pas 7 korrikut kishte ardhur afati i pagesës së borxhit që Fahredin Gashi i kishte. Por ai nuk ia kishte dhënë, pasi, sipas Bllacës, gjatë kohës sa Fahredini i kishte huazuar para atij, kishte llogaritur edhe kamatë dhjetë për qind. Bllaca ka thënë se ishte çuditur sesi Fahredin Gashi i kishte kërkuar interes për huadhëniet pas tetë vjetësh të bashkëpunimit. Bllaca ka thënë se gjatë asaj kohe kishte lidhur rreth 2 000 kontrata të shitblerjes së banesave, shtëpive e veturave, megjithëse e kishte vërejtur se grupi po e pengonte në biznes.
Pasi ka folur për biznesin me Fahredin Gashin, ai ka thënë se në vitin 2007 situata kishte filluar të tensionohej, porse ishin munduar ta zgjidhnin këtë problem. Për të arritur këtë ai ka thënë se në vitin 2007 ishte takuar në një restorant në QMI me Shpresim Ukën dhe Shaban Sylën. Në atë takim Bllaca ka thënë se ishin përgatitur që Shpresim Uka t’ia jepte 50 mijë euro.
“Unë në këtë takim u kam thënë ‘mos e përkrahni Fahredinin, se ai është i detyruar që të m’i kryejë obligimet ndaj meje’. Në atë takim kam thënë se nëse Fahredini nuk më përgjigjet të gjithë do ta pësojmë keq. Duke dashur që të ngrihemi, Shpresim Uka më ka goditur boks, ndërsa unë pasi që isha i armatosur e kam nxjerrë revolen. Mirëpo ajo ka përfunduar ashtu pasi që kanë qenë prezentë shumë qytetarë dhe na kanë ndarë”, ka thënë Bllaca për të shtuar se ky ishte incidenti i parë fizik në mes tij dhe grupit tjetër.
Bllaca ka thënë më tej se nga restoranti kishte hipur në veturën e Shaban Sylës dhe kishte kërkuar takim me Azem Sylën. Më vonë ka thënë se e kishte kuptuar se Azem Syla ndodhej në restorantin “Motrat Binjake” së bashku me Fahredin Gashin dhe Shpresim Ukën.
“Shabani e ka thirrur shoferin e Azem Sylës, por ai i ka thënë se Azemi është i zënë me parti. Kam insistuar që të takohem më të dhe ky takim është mbajtur në maj të vitit 2007 në restorantin ‘Ana Benz’. Prezent kanë qenë Azemi, unë dhe Shpresimi. Biseda e parë ka qenë rreth përçarjes me Fahredin Gashin”, ka thënë Bllaca.
“Unë i kam thënë Azemit se kisha dyshimet e mia rreth këtij njeriu, se më ka keqpërdorur në disa raste. Në takim jemi marrë vesh që Azem Syla të ndërhyjë dhe ta zgjidhë problemin. Azemi më ka thënë se në çka po dyshon se të ka keqpërdorur. Unë ia kam përmendur vrasjen e Varigovcit. Shefi im Azem Syla më ka thënë se kjo vrasje nuk më intereson”, ka vazhduar rrëfimin Nazim Bllaca i ulur në mes të zyrës, i veshur me jelek antiplumb.
Bllaca ka rrëfyer se pasi që i kishte treguar Azem Sylës për borxhin që i kishte Fahredin Gashi, ia kishte nxjerrë një skicë në tavolinë në të cilat kishte shënuar veprat kriminale që i kishte bërë ai me shokët e tij. Bllaca ka thënë se ai dhe grupi tjetër kanë vepruar në kuadër të SHIK-ut, për të cilën ka thënë se ka qenë organizatë ilegale e formuar në luftë e që rreth vetes kishte njerëz të besueshëm të komandantëve.
“Anëtarë kanë qenë: Azem Syla, Shpresim Uka i afërm i tij, pastaj Bekim Syla, Shaban Syla, Fahredin Gashi, Driton Hajdari, unë dhe Sadik Abazi. Azem Syla nuk ka dashur me ditë asgjë për vrasjen në Varigovc e për këto tjerat tha mos fol. Në atë moment plumbin e kam pasur në trup, sepse e pashë që ai ndryshoi shumë. Në skicë kanë qenë vrasja në Kraishtë, tentim atentati ndaj Adem Salihajt, Ismet Arifit, vrasja e Selim Broshës, atentati ndaj Agim Veliut dhe Ejup Visokës, Ajet Istogut dhe u përmend edhe emri i Ali Sadrisë”, ka thënë më tutje Bllaca.
Dëshmitari ka thënë se pasi ishte prishur me grupin, punën e tij e kishte orientuar në dy drejtime: me Policinë e Kosovës dhe me faktorin ndërkombëtar. Ai ka treguar se kur kishte shkuar në Prishtinë në Policinë e Kosovës kishte qenë nën përcjelljen e KFOR-it finlandez dhe amerikan.
“Tri herë jam takuar me Policinë e Kosovës, menjëherë pasi e kam lajmëruar rastin në stacionin numër dy. Pasi që kisha dhënë deklaratë më 2 ose 3 korrik 2007 dy ditë pas kësaj kishin shkuar në shtëpinë time disa persona të gjithë shok të mi. Ata ishin Reshat Gashi, Shpresim Uka, Driton Hajdari, Sherif Salihu, Asllan Bllaca, i cili është kushëri imi. Ka qenë edhe Faruk Gashi”, ka thënë Bllaca. Sipas tij, shokët kishin shkuar te babai i tij në Ribar të Madh të Lipjanit, në kohën kur ai nuk ishte prezent. Ata i kishin kërcënuar se nëse Bllaca i nxjerr në dritë krimet “nuk do t’ju lëmë kurrë rehat”
“Shef i grupit ka qenë Reshat Gashi. Këtë ua ka thënë prindërve dhe vëllezërve në shtëpinë time”, ka thënë më tej Bllaca për të treguar se dy ditë para se familja e tij të vizitohej, ai e kishte hapur rastin në Policinë e Kosovës.
“U kam thënë vëllezërve dhe prindërve mos u bëni merak, sepse këto të gjitha i di faktori ndërkombëtar. Unë i kam dërguar sms Fahredin Gashit dhe i kam thënë se të gjitha janë nga ti. Unë do të vazhdoj. Mesazhi ka shkuar në dy adresa, te Azem Syla dhe Fahredin Gashi. Do t’ju raportoj të gjithëve për vrasje. Të nesërmen e raportova vizitën që e kisha në polici. Në këtë kohë ecja ngadalë duke i ofruar informatat dhe duke përcjellë vazhdimisht nga do të më vijë plumbi”, ka dëshmuar më tej Nazim Bllaca. Dëshmitari ka thënë se më 9 nëntor 2007, pasi kishte organizuar një takim me disa zyrtarë të UNMIK-ut ishte larguar nga Kosova, pasi që e kishte vërejtur, siç ka thënë ai ,që UNMIK-u ishte i dobët dhe nuk dëshironte të vritej.
“Herë pas here i afrohesha këtij grupi. Hysni Rama ishte me mua gjatë kësaj kohe dhe kuptohet ishte i deleguar nga pala tjetër dhe në një takim në Prishtinë. Kisha një kërkesë nga Shaban Syla dhe Hysri Rama. Pasi kisha kontaktuar Policinë, mua më kishin përcjellë nga distanca nga vitit 2007”, ka thënë Bllaca, duke e bërë Hysri Ramën që të reagonte.
“Pse s’po tregon herën e parë  kur je takuar me mua. Çka ke kërkuar. Kthehu nga unë kur foli. Ka ndenjur më herët ky me mua”, ka thënë Rama. Por Bllaca ka vazhduar duke thënë se ishte ulur me Shaban Sylën dhe Hysri Ramën, të cilët i kishin ofruar kompromis.
“Takimi i fundit me Hysri Ramën në Prishtinë ishte te ‘Fellini’. Aty e kam kuptuar se aty ka qenë e përgatitur vrasja ime, kjo ishte arsyeja pse jam larguar nga Kosova”, ka thënë Bllaca. Bllaca ka thënë se Hysri Rama i kishte thënë se do të vrasin. Kjo e kishte shtyrë që t’i telefononte Shaban Sylës, të cilit i kishte thënë se “ke dhënë paratë për të më vrarë”. “Rama më pati treguar për këtë. Ai i pati hapur letrat. Më ka thënë se për të më vrarë ia kanë dhënë 100 mijë euro. Unë e kam lajmëruar familjen time për këtë. U kam thënë mos keni frikë dhe kam menduar që këtë punë ta zgjidhim sipas Kanunit, sipas traditave”.
Bllaca ka dëshmuar edhe për takimin me ish-deputetin Gani Geci dhe arsyen pse e kishte zgjedhur atë për t’ia treguar të gjitha. Arsyeja pse kishte kontaktuar me Gecin, sipas Bllacës, ishte se në atë kohë Gani Gecit i besonte dhe se ishte shef i Komisionit parlamentar për inteligjencë. Pasi ishin takuar ata kishin shkuar për t’u takuar me Adem Salihajn, i cili i kishte sugjeruar që të gjitha ngjarjet t’i xhironte.
Dëshminë e tij Bllaca sot me marrjen në pyetje nga avokatët dhe të pandehurit.

Ndihmo Radio zeri mitrovices


Kontribuesit qe ndihmuan

Radio zeri Mitrovices ne menyr vullnetare

=========================

Muaji: Korik-2011

=========================

Gzim Koadralia 50 euro

_________________________

Hashim Kryeziu 35 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

Sami Zeneli 10 euro

=========================

Muaji: Janar-2012

=========================

Ilaz Azemi 40 euro

_________________________

Sami Zeneli 25 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

ERISA 15 euro

=========================

Muaji: Shkurt-2012

=========================

Gzim Halili 150 euro

_________________________

Xhafer Gjaka 50 euro

_________________________

Enver Hajzeri 25

_________________________

Muaji: Nentor-2012

=========================

Aslani Rejser (Danimark) 10 euro

_________________________

Xhevahir Gjonaj 50 euro

_________________________

Jeton Aliu 25 euro

_________________________

Sponzor gjeneral

VideoKlipe


Kliko ne kto ikona per ta ndegjuar radion:
Winamp windows Media Player Real Player

Dergo Urimet tuaj ne Radio Mitrovica


Fluturime nga Zvicra Kërko Fluturime te lira për Kosove Dizajn:KosovaPLUS
All Rights Reserved RadioMitrovica.eu

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close