Publikuar me datën: Sun, Aug 29th, 2010

Biserko: Serbia nuk do t’ia dalë me rezolutën në OKB

Beograd, 29 gusht – “Nuk mendoj se Serbia do t’ia dalë me rezolutën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, edhe pse për momentin ata janë të bindur në fitore”, ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetarja e Këshillit të Helsinkit në Beograd, Sonja Biserko. Sipas saj, shtetet e Kuintit – katër evropiane dhe SHBA-ja, po përpiqen ta bindin Serbinë që në draft-rezolutë të përmendet statusi i Kosovës për t’ia mundësuar Serbisë kandidaturën në BE.

Biserko e pyetur se çka pret nga mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të KB, ku në agjendë do të jetë çështja e Kosovës, ajo ka thënë se lëvizja e fundit e Beogradit, që fillimisht të mos e pranojë Mendimin e GJND-së, është reflektim i mosgatishmërisë së Serbisë për ta pranuar këtë realitet të ri.

”Në fakt, ata po përpiqen që të shfrytëzojnë mospajtimet brenda Bashkësisë Ndërkombëtare lidhur me këtë temë, e cila në të vërtetë nuk ka të bëjë aq shumë me Serbinë sa me çështje të tjera të pazgjidhura në botë. Sidoqoftë, nuk mendoj se Serbia do t’ia dalë me këtë rezolutë, edhe pse për momentin janë të bindur në fitore. Ministri Jeremiq shpeshherë ka thënë se duhet të finalizohen përpjekjet për këtë, pavarësisht kundërshtimit të organizuar kryesisht nga shtetet perëndimore. Në anën tjetër, shtetet e Kuintit- katër evropiane dhe Shtetet e Bashkuara, po përpiqen ta bindin Serbinë që në draft-rezolutë të përmendet statusi i Kosovës për t’ia mundësuar Serbisë kandidaturën (në BE). Kjo çështje vazhdon të jetë në tryezë. Ditë më parë, në Serbi qëndroi ministri i Jashtëm gjerman, i cili pati biseda me koalicionin qeverisës dhe opozitën. Nuk është bërë asgjë publike lidhur me këto takime, por ka zëra që thonë se Serbia e ka kundërshtuar këtë mundësi, ndërsa thuhet, po ashtu, se Tadiqi do ta marrë parasysh këtë opsion. Mundësia e Serbisë për të vazhduar me këtë qëndrim do të varet shumë nga gjendja ekonomike e vendit dhe varësia nga Bashkimi Evropian, e sidomos nga Gjermania.
Pra, kjo është një gjë që duhet të merret parasysh, e po ashtu qëndrimet e strategëve nacionalistë që vazhdojnë të jenë të fuqishëm e të kenë ndikim në politikën e jashtme serbe, sidomos në atë që ka të bëjë me Kosovën. Ky diskurs përshkohet nga një ndjenjë që Serbia duhet të presë edhe pak për të vazhduar me rifillimin e negociatave me një qëllim të vetëm, e që është ndarja e Kosovës”, ka thënë Biserko.
 
”Unë do të thosha se prapa fiksimit serb për Kosovën fshihet synimi për Bosnjën, sepse paralelisht me dinamikën karshi Kosovës, Millorad Dodik vazhdimisht po thekson se Bosnja nuk është shtet i qëndrueshëm. Nëse Bosnja do të hiqte dorë nga Republika Srpska, Republika Srpska do të bëhej pjesë e Serbisë. Pra, vëmendja e ndërkombëtarëve, përfshirë Ministrinë e Jashtme gjermane, momentalisht është e përqendruar në finalizimin e krizës ballkanike. Serbia po i reziston kësaj dhe po bën përpjekjet e fundit për t’iu shmangur kësaj duke kërkuar rivendosjen e negociatave për statusin e Kosovës, gjë që është kundërshtuar nga të gjithë aktorët kryesorë ndërkombëtarë, e në radhë të parë nga BE-ja dhe SHBA-të. Këto po përpiqen të lobojnë për votimin kundër rezolutës serbe, por kjo do të varet shumë nga mënyra se si do ta presin këtë rezolutë anëtarët e tjerë të Kombeve të Bashkuara. Serbia po përpiqet të ndikojë te vendet fqinjë që e kanë njohur Kosovën si Kroacia, Mali i Zi e Maqedonia që të mos votojnë. Në muajt e fundit Serbia ka synuar që përmes kanaleve të ndryshme, si Turqia ,të ndikojë në marrëdhëniet me këto shtete, të cilat ishin tensionuar pas njohjes së shtetësisë së Kosovës nga ana e tyre, në mënyrë që këto shtete të mos votojnë”, ka shtuar më tejBiserko.

E pyetur se cilat do të ishin temat, që Bashkësia Ndërkombëtare po kërkon të diskutohen në dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit, Biserko ka thënë se ajo që SHBA dhe BE-ja po e kërkojnë, është fillimi i negociatave teknike ku do të shqyrtoheshin temat për përmirësimin e jetës së shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë. “Ata kanë, gjithashtu, parasysh gjendjen e minoritetit serb në Kosovë dhe monumentet kulturore, që sipas Planit Ahtisari, gëzojnë një status të veçantë. Edhe pse Serbia nuk e pranon Planin Ahtisari, ai është i inkorporuar në dokumentet kryesore të Kosovës. Pra, këto vende duan ta shohin integrimin e serbëve në jetën shoqërore e institucionale në Kosovë dhe zbatimin e Planit Ahtisari”, ka shtuar Biserko.

Biserko në lidhje me raportin e fundit të publikuar nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, i cili pas mendimit këshillëdhënës të GJND-së, rekomandon tri zgjidhje për veriun e Kosovës: Planin Ahtisari, një autonomi të zgjeruar dhe shkëmbimin e kësaj pjese me një pjesë të Serbisë, ka thënë se realisht këto nuk janë të mundshme në këtë moment, sepse çdo rinim i negociatave për status, do të nënkuptonte hapjen e kutisë së Pandorës. ”Nuk bëhet fjalë vetëm për Kosovën e Serbinë apo veriun e Kosovës, por në të vërtetë bëhet fjalë për çështje të ngjashme në rajon dhe më gjerë. Shkëmbimi i territoreve është përmendur jo zyrtarisht si ide në muajt e fundit dhe mendoj se Grupi Ndërkombëtar i Krizave e ka përmendur atë për të dalë në publik kjo ide. Mendoj se Serbia nuk është në favor të shkëmbimit të territoreve për shkak të Preshevës, që e sheh si pikë të sajën strategjike. Andaj, nuk jam e sigurt që me këtë do të kënaqej apetiti i Beogradit, sepse ajo që dëshiron Serbia është që të marrë veriun për ta legjitimuar kërkesën e saj lidhur me Bosnjën. Pra, do të thosha që Bosnja dhe Kosova janë çështje të ndërlidhura dhe të ngjashme dhe është e vështirë të diskutohet për Kosovën pa e përmendur Bosnjën. Dodik vazhdimisht po na rikujton këtë duke përsëritur fjalinë e famshme që ‘Bosnja nuk është një shtet i qëndrueshëm’”, ka shtuar Biserko.

Biserko në lidhje me atë që duhet të bëjnë vendimmarrësit vendorë e ndërkombëtarë në lidhje me veriun e Kosovës, ka thënë se veriu i Kosovës duhet të bëhet pjesë e Kosovës.

”Janë vetëm disa ose një grup i vogël i njerëzve në veri që po i pengojnë serbët të marrin pjesë në jetën në Kosovë. Serbët në Kosovë janë mjaft të vetëdijshëm për pozitën e tyre në Kosovë apo eventualisht nesër në Serbi.Në fakt, Plani Ahtisari ua mundëson atyre një pozitë të privilegjuar dhe zbatimi i tij do t’i bënte ata grupin më të privilegjuar në Kosovë. Beogradi nuk e dëshiron këtë- është një situatë e ngjashme me atë që e kemi pasur në Kroaci më 1994-1995 kur serbëve të Kroacisë, përmes një plani, iu dha e drejta për një pothuaj një shtet të veçuar, me një valutë të veçuar dhe gjëra të tjera të veçuara-gjë që Beogradi e lejonte. Pra, kjo është një situatë e ngjashme e ndarjes, sepse synimi i nacionalistëve nuk është që të mbajë serbët në Kosovë, por të marrë veriun e Kosovës dhe gjysmën e Bosnjës”, ka përfunduar Biserko në intervistën e dhënë për REL.

Ndihmo Radio zeri mitrovices


Kontribuesit qe ndihmuan

Radio zeri Mitrovices ne menyr vullnetare

=========================

Muaji: Korik-2011

=========================

Gzim Koadralia 50 euro

_________________________

Hashim Kryeziu 35 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

Sami Zeneli 10 euro

=========================

Muaji: Janar-2012

=========================

Ilaz Azemi 40 euro

_________________________

Sami Zeneli 25 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

ERISA 15 euro

=========================

Muaji: Shkurt-2012

=========================

Gzim Halili 150 euro

_________________________

Xhafer Gjaka 50 euro

_________________________

Enver Hajzeri 25

_________________________

Muaji: Nentor-2012

=========================

Aslani Rejser (Danimark) 10 euro

_________________________

Xhevahir Gjonaj 50 euro

_________________________

Jeton Aliu 25 euro

_________________________

Sponzor gjeneral

VideoKlipe


Kliko ne kto ikona per ta ndegjuar radion:
Winamp windows Media Player Real Player

Dergo Urimet tuaj ne Radio Mitrovica


Fluturime nga Zvicra Kërko Fluturime te lira për Kosove Dizajn:KosovaPLUS
All Rights Reserved RadioMitrovica.eu

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close