Publikuar me datën: Wed, Mar 2nd, 2011

Bisedimet e këqija për Kosovën

Dhjetë arsye pse bisedimet me Serbinë tani janë të dëmshme për Kosovën

Qeveria e Kosovës tashmë e ka hedhur hapin e parë drejt bisedimeve me Serbinë. Muaji mars pritet të sjellë fillimin e këtij procesi që është paralajmëruar e trumbetuar kohë të gjatë. Por, derisa vetë procesi i bisedimeve me Serbinë quhet teknik, esenca e tij është krejtësisht politike, dhe gjasat janë se do të prekë në disa prej shtyllave mbi të cilat është ndërtuar shteti i pavarur i Kosovës, prej shmangieve nga Plani i Ahtisaarit, deri tek modifikimet qenësore që do të pasojnë në rendin kushtetues të Kosovës.
Do t’i numëroj vetëm dhjetë nga arsyet pse Kosova nuk do të duhej të hynte në këtë proces tani, dhe në këtë mënyrë, me këto institucione të kontestuara, dhe me këtë paqartësi rreth agjendës.

1. Agjenda. Është e papërgjegjshme të pranohet një proces bisedimesh derisa nuk e dimë saktë se cila është agjenda e atij procesi. Prej temave e çështjeve që do të bisedohen dhe kushteve të dialogut, deri tek ritmi dhe pozicionet e palëve në proces. Termi “bisedimet teknike”, me të cilin mëtohet që procesit t’i hiqet pesha politike, është mashtrues. Nuk ka probleme teknike mes Kosovës dhe Serbisë. Çdo çështje kontestuese mes Kosovës e Serbisë është skajshmërisht politike dhe prek në esencën e konfliktit mes nesh. Dëshmia më e madhe se kemi të bëjmë me një proces jashtëzakonisht politik është edhe vetë rëndësia që Bashkimi Evropian i jep dialogut, i cili, sipas burimeve nga Brukseli, është në mesin e dy-tri top-prioriteteve të baroneshës Ashton. Të ishte kjo një çështje “teknike” (term ky që është sajuar për të lënë përshtypjen se bëhet fjalë për një çështje dytësore, të një rëndësie të vogël) procesi do të kishte filluar që moti. Vetë pesha politike që i jepet fillimit të këtij “dialogu” tregon qartë rëndësinë e tij politike.

2: Qëllimi. Ka një mjegull që e rrethon qëllimin e vërtetë të procesit. Derisa vazhdimisht flitet për nevojën që Kosova dhe Serbia të normalizojnë raportet, qëllimi i madh i Brukselit në këtë proces – së paku në këtë moment – është që t’i hapë dyert e anëtarësimit në BE për Serbinë. Por, në mungesë të një shenje edhe më të vogël se i njëjti qëllim vlen edhe për Kosovën – pra hapja e dyerve për anëtarësim në BE – konkludimi i vetëm logjik është se objektivi i procesit është që Serbisë t’i lehtësojë arritjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE, ndërsa Kosova këtu është personazh anësor, apo edhe një statist, që shërben për arritjen e objektivit.
Kjo përbën problem edhe praktik, meqë nuk ka asnjë garanci për sjelljen e moderuar të Serbisë nëse ajo zë hapin para Kosovës në afrimin me BE-në, që lë mundësinë e bllokimit dhe shantazhimit të Kosovës nga Beogradi në fazat e mëvonshme të procesit të afrimit me Brukselin.

3: Statusi. Shpeshherë është thënë se në bisdeimet me Serbinë pavarësia e Kosovës nuk do të diskutohet. Por, fakti i pakontestueshëm është se dialogu është mjet që e vonon dhe shtyn legjitimimin e plotë evropian e ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës. Sepse procesi i dialogut u ofron edhe një arsyetim vendeve që nuk e njohin ende Kosovën shtet që të presin më shumë me njohjen e mundshme, sidomos brenda BE-së, ku mosnjohja nga pesë vendet anëtare ka bërë që BE-ja të ketë qëndrim “neutral” ndaj statusit të Kosovës. Me vetë faktin se ka një distancim nga vetë BE-ja ndaj statusit të Kosovës, statusi, si i tillë, është i kontestueshëm edhe nga vetë Brukseli, andaj edhe askush nuk mund të garantojë se statusi (apo modifikimi i tij) nuk mund të rihapet, në ndonjë fazë të procesit.

4: Ndërmjetësimi. Bashkimi Evropian shërben si ndërmjetësues në këtë proces, dhe ky, në vetvete, përbën problem. Së pari, BE-ja është “neutrale” ndaj statusit të Kosovës (me çka është neutrale edhe ndaj çdo aspirate të shtetit të Kosovës, përfshirë edhe aspiratën për anëtarësim në BE). Por BE-ja nuk është “neutrale” ndaj aspiratave të Serbisë për t’u anëtarësuar në BE. Kjo prish balancën që një ndërmjetës duhet ta ketë për të qenë në distancë të njëjtë nga të dyja palët e përfshira në proces. Po ashtu, derisa një prej qëllimeve kryesore të procesit është që BE-ja të fitojë edhe një shtet-anëtar – Serbinë – vetë BE-ja nuk është vetëm një ndërmjetës, por është palë e interesuar, për të cilën rezultati i procesit është me rëndësi të madhe. Andaj, dialogu do të jetë negativ derisa nuk arrihet modaliteti që e bën edhe BE-në të jetë palë në këtë diskutim, me qëllime e pritje të deklaruara qartë, që do të duhej të përfshinin synimin që procesi t’i sjellë të dyja vendet – edhe Kosovën, edhe Serbinë – si të pavarura në BE.

5: Prioritetet. Kosova është vend i varfër, me probleme enorme të brendshme, me institucione të brishta, që tani kanë një kredibilitet të vënë në dyshim, dhe një legjitimitet të kontestuar fuqishëm. Prioriteti i Kosovës nuk do të duhej të ishte dialogu me Serbinë, por një përpjekje masive për të riparuar pjesën e riparueshme të dëmit që i është shkaktuar vendit nga kriza e inskenuar politike e gjashtë muajve të fundit. Prioritet i institucioneve të Kosovës do të duhej të ishte reformimi urgjent i sistemit zgjedhor dhe ligjeve të ndërlidhura, meqë është parë qartë se çfarë keqpërdorimesh janë kryer gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe votimit të institucioneve të reja të vendit. Ky është prioritet mbi prioritete, nëse nuk duam që zgjedhjet e ardhshme (që mund po ashtu të jenë të parakohshme) të na shndërrohen në përsëritje të krizës së fundit. Lista e prioriteteve tjera të Kosovës, ku momentalisht nuk mund të bëjë pjesë dialogu, vazhdon me çështjen e situatës së turpshme ekonomike e sociale, e cila po i godet shumicën e qytetarëve të Kosovës, ndërsa Qeveria e kaluar, me po të njëjtin kryeministër, nuk ka bërë asgjë për të krijuar një rrugëdalje pozitive. Kanalizimi i energjive në drejtim të dialogut do të dëmtojë gjasat edhe ashtu të vogla që Qeveria e re të mund të adresojë problemet e qytetarëve, dhe njëkohësisht të riparojë imazhin e vet që tani është katastrofal.

6: Veriu. Kosova ka Thembrën e vet të Akilit në veri, dhe ky nuk është lajm i ri. Por lajmi i ri mund të jetë që veriu do të bëhet monedha kryesore për pazar në dialogun e paralajmëruar me Serbinë. Njerëzit nuk do të duhej të mashtroheshin nga deklaratat politike e zyrtare se veriu nuk është pjesë e diskutimeve.
Mënyra e ndërtimit të procesit nga Brukseli më ngjan me anekdotën për bretkosën që vendoset në ujë të ftohtë, i cili ngrohet gradualisht deri në vlim, ndërsa bretkosa nuk e vëren deri në fundin e saj, kur mbytet e përvëluar. Në rastin tonë, Brukseli nis dialogun me çështje të imëta, “teknike”, ndërsa Kosova, në rolin e bretkosës, supozohet se nuk do të vërejë ngrohjen e procesit deri në momentin kur do të jetë vonë. Vlimi i ujit, në këtë rast, është hapja e diskutimit për veriun dhe modifikimi i Planit të Ahtisaarit.
Kështu, në start të bisedimeve nuk do të bisedohet për veriun, por gradualisht, me një tempo konstante, dialogu do të zgjerohet për të përfshirë çdoherë e më tepër çështje të ndjeshme, dhe për të arritur tek çështjet e “rënda” politike nga fundi i tij.
Sigurisht, veriu dhe pozicioni i minoritetit serb në Kosovë nuk do të adresohet si një çështje, por përmes ringjalljes së heshtur të 6 pikave të famshme të Ban ki Moonit dhe integrimit të tyre veç e veç në agjendën e bisedimeve, në fund synohet të arrihet një zgjidhje komplekse që do të imponojë si të pashmangshëm një nivel të ri të autonomisë për serbët në veriun e Kosovës. Kjo mund të mos quhet “autonomi” në letër, por në realitet do të jetë, para së gjithash, legalizim i strukturave paralele serbe dhe ndërhyrjes së Beogradit atje.
Parimi i njëjtë mbase do të vlejë edhe për komunat me shumicë serbe në pjesën tjetër të Kosovës, por fakti që veriu është territor kompakt i lidhur me Serbinë, pothuaj i shkëputur nga Kosova, do ta bëjë autonominë e veriut një realitet të painjorueshëm. Dialogu thjesht do të legalizojë gjendjen e tanishme atje.

7: Negociimi. Vetë procesi i bisedimit është i paqartë, i mjegulluar, ndërsa nga ana e Kosovës kemi mungesë të çfarëdo agjende apo dokumenti bazë për të hyrë në këtë proces. Vërtet, Kosova tani ka emëruar Edita Tahirin në pozicionin e shefes së delegacionit për dialog, por ky emërim nuk u përcoll me ndërtimin e një ekipi për këto bisedime, ndërsa nuk ka ende asnjë dokument që do të mund të quhej “platformë për dialog me Serbinë”. Për më tepër, vetë emërimi i znj. Tahiri duket se erdhi “aksidentalisht”, pasi ajo më tepër ishte e përfolur për postin e presidentes së vendit, ndërsa para emërimit të saj pozicioni u ishte ofruar disa figurave tjera politike që e refuzuan.
Në rrethana të tilla, është e qartë se nga pala kosovare bëhet fjalë për improvizim të skajshëm, që po aq qartë tregon edhe mungesën e çfarëdo strategjie apo vizioni se si dhe çka duhet bërë në këtë proces, nëse hyrja në të është e pashmangshme.
Qeveria e kaluar e Hashim Thaçit e ka ditur prej verës së kaluar se pritjet e BE-së janë që Kosova të hyjë në dialog me Serbinë, dhe, derisa asnjëherë nuk e ka refuzuar këtë ide, ajo as nuk ka ndërmarrë ndonjë hap për të ndërtuar pozicionin e Kosovës.
Kështu, Kosova hyn në dialog, në bisedime apo edhe negociata – siç i quan kryetari Pacolli – pa një pozicion të ndërtuar për çka do të diskutojë, çka pret nga ky proces dhe cili duhet të jetë përfitimi i Kosovës aty.
Kryeministri dhe Qeveria e kaluar kanë lejuar që procesi të ndërtohet si imponim, pa asnjë përfitim konkret të Kosovës, madje as diçka që të gjithë të tjerët në rajon tashmë e kanë – liberalizim të vizave.

8: Zbatimi. Në situatën e tanishme, me institucione që morën pushtetin në Kosovë në një proces skajshmërisht të dëmtuar, jodemokratik e të kontestuar, zbatimi i një marrëveshjeje të mundshme nga procesi i dialogut me Serbinë do të shndërrohet në konfrontim të brendshëm politik në Kosovë. Sepse, para së gjithash, spektri politik i Kosovës, ajo pjesë që ka mbetur në opozitë, por edhe një pjesë nga radhët e vet Partisë Demokratike në pushtet, është për t’u pritur se do të kontestojë ashpër marrëveshjet dhe koncesionet e mundshme që Kosova pritet t’i pranojë në bisedime me Beogradin dhe BE-në.

9: Pacolli. Kryetari i kontestuar i Kosovës, Behgjet Pacolli, tashmë është e qartë se sjell edhe një dimension negativ në procesin problematik të bisedimeve me Serbinë: ka legjitimitet të kontestuar brenda Kosovës, dhe kredibilitet të dëmtuar jashtë saj. E para, për shkak të mënyrës si erdhi në krye të shtetit, ndërsa e dyta për shkak të së kaluarës së tij prej biznesmeni që pas vetes ka lënë lidhje problematike me diktatorë.
Bashkë me Thaçin, Pacolli përbën pikën e dobët të Kosovës, duke marrë parasysh se të dy janë të lëndueshëm edhe jashtë, edhe brenda Kosovës. Jashtë, për shkak të imazhit, në rastin e Pacollit të një biznesmeni me lidhje të dyshimta prej Beogradit e Moskës, deri në Astanë e Tripoli. Dhe brenda, për shkak të mënyrës së ardhjes në pushtet, në një proces skajshmërisht të kontestueshëm zgjedhor, dhe përmes një pazari politik me kreun e Qeverisë, Hashim Thaçin.

10: Thaçi. Edhe Kryeministri i Kosovës hyn në proces i dëmtuar nga kredibiliteti edhe jashtë Kosovës, edhe brenda saj.
Jashtë vendit, për shkak të akuzave që i janë bërë muajve të fundit nga Këshilli i Evropës, e që e kanë kufizuar tej mase fushëveprimin e tij, ndërsa brenda vendit është dëmtuar skajshmërisht së pari nga procesi i keq zgjedhor nëpër të cilin e udhëhoqi Kosovën, pastaj edhe nga koalicioni qeverisës që ndërtoi duke i falur Pacollit postin e presidentit të vendit, me gjithë kundërshtimet, madje edhe brenda radhëve të partisë së vet.
Për më tepër, mënyra e marrjes së vendimeve pa konsulta e ka përkeqësuar marrëdhënien e tij skajshmërisht edhe me fraksione brenda partisë së vet, një gjë që do të ishte problem edhe nëse Thaçi do të kishte dy të tretat e votave në Kuvendin e Kosovës.
Më një shumicë të brishtë parlamentare, e cila mbase edhe nuk do të mbetet shumicë për kohë të gjatë, situata e tillë përbën rrezik të madh për stabilitetin e brendshëm politik, e në kombinim me mungesën e suksesit në përballje me problemet sociale e ekonomike, është një recetë për tensione dhe konflikt të brendshëm.
Në këtë kontekst, çdo hap më shumë në procesin e dialogut me Serbinë që do të mund të shihet si koncesion i Thaçit para Serbisë do t’i faturohet më së shumti atij, dhe kjo nuk është më situatë nga koha e koalicionit të madh, kur pushteti kishte luksin të merrte vendime pa asnjë konsultë.
Tani, në bankën opozitare janë ulur tri parti të fuqishme, që në fakt më shumë e përfaqësojnë shumicën e këtij vendi se sa koalicioni qeverisës.
Dhe ky do të jetë problem i madh për të gjithë. Me ose pa bisedime. Posaçërisht me bisedime!

Ndihmo Radio zeri mitrovices


Kontribuesit qe ndihmuan

Radio zeri Mitrovices ne menyr vullnetare

=========================

Muaji: Korik-2011

=========================

Gzim Koadralia 50 euro

_________________________

Hashim Kryeziu 35 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

Sami Zeneli 10 euro

=========================

Muaji: Janar-2012

=========================

Ilaz Azemi 40 euro

_________________________

Sami Zeneli 25 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

ERISA 15 euro

=========================

Muaji: Shkurt-2012

=========================

Gzim Halili 150 euro

_________________________

Xhafer Gjaka 50 euro

_________________________

Enver Hajzeri 25

_________________________

Muaji: Nentor-2012

=========================

Aslani Rejser (Danimark) 10 euro

_________________________

Xhevahir Gjonaj 50 euro

_________________________

Jeton Aliu 25 euro

_________________________

Sponzor gjeneral

VideoKlipe


Kliko ne kto ikona per ta ndegjuar radion:
Winamp windows Media Player Real Player

Dergo Urimet tuaj ne Radio Mitrovica


Fluturime nga Zvicra Kërko Fluturime te lira për Kosove Dizajn:KosovaPLUS
All Rights Reserved RadioMitrovica.eu

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close