Berisha lavdëron gjyqtarët

Kryetarja e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, Shpresa Beçaj, organizoi pasditen e sotme pritjen zyrtare në Hotel Rogner, në prag të çeljes së punimeve të Konferencës së Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore e Lindore (më 14 -16 maj).
Gjatë fjalës së saj, kryetarja e Gjykatës së Lartë theksoi se sfIda e gjyqësorit mbetet mbrojtja e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe gjyqtarëve.
Sipas Beçaj, një gjyqësor funksional kërkon bashkëpunim me pushtetet e tjera.
Një gjyqësor funksional kërkon edhe një bashkëpunim dhe kontribut të të gjithë elementëve të shoqërisë civile, të aktorëve të sistemit të drejtësisë dhe të medias. Sfida jonë sot orientohet në mbrojtjen e pavarësisë se sistemit dhe gjyqtarëve, në mënyrë që ata të administrojnë ligjin në mënyrë të fortë, të ndershme dhe të paanshme, për të kthyer besimin e publikut tek drejtësia.”- deklaroi Beçaj.
Konferenca e kryetarëve të gjykatave u përshëndet edhe nga kryeministri Sali Berisha, i cili përfitoi nga rasti për të shprehur vlerësimin e tij për Gjykatën e Lartë dhe trupën gjyqësore shqiptare. Sipas kryeministrit Berisha, me vendimet e gjyqtarëve, shoqëria shqiptare është bërë me e lirë dhe më e sigurt.
“Ju keni bërë drejtësi. Një shoqëri e lirë bazohet para së gjithash dhe mbi të gjitha në liri dhe paqe. Por liria dhe paqja kanë për garant kryesor një sistem drejtësie të konsoliduar. Paqja nuk ka të kundërt luftën , por mungesën e drejtësisë. Nuk mund të ketë shtet ligjor pa vendimet tuaja të drejta dhe zbatimin e tyre”,- u shpreh Kryeministri Berisha, duke shtuar se gjatë kësaj jave u përurua edhe sistemi i ankesa on-line të publikut për problematikat që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë, njofton BW.
Më tej shefi i qeverisë theksoi se gjykatësit shqiptarë janë përballur me vështirësi të shumta, “por kanë bërë të mundur që vendi sot të ketë një sistem drejtësie të respektuar, depolitizuar dhe të përgjegjshëm.”
Kryeministri siguroi se qeveria është e vendosur për të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme për të siguruar pavarësinë e gjykatave dhe të krijojë kushtet optimale për veprimtarinë e tyre.