Berisha: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, prioriteti i Shqipërisë

20 përfaqësues të Shkollës Politike nga Kosova po marrin pjesë në akvitivitetin një javor të Këshillit të Evropës -Forumi Botëror për Demokraci, që mbahet në Strasburg. Në sesionin e paradites në hapje të punimeve, kanë folur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon dhe Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, vendi i të cilit ka kryesimin e radhës së Këshillit të Ministrave të KE-së.
Kosova ka zënë vend në këtë sesion duke u renditur top prioriteti i presidencës së radhës shqiptare për tu anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Grupi i Shkollës Politike të Prishtinës i udhëhequr nga drejtoresha, Leonora Kryeziu janë pritur në ambientet e Këshillit të Evropës nga kryeministri Berisha.
Ai ka thënë se Shqipëria e ka të qartë agjendën e saj në raport me Kosovën duke shtuar se “po bën gjithçka që Kosova ta zërë vendin e saj në KE por për shkak të disa procedurave burokratike ka vonesa”. Sipas tij, të gjithë në Këshillin e Evropës e kanë të qartë se Kosova është vend i pavarur dhe sovran.
Drejtoresha e Institutit të Prishtinës për Studime Politike, Leonora Kryeziu duke falënderuar kryeministrin Berisha për mikpritjen, kërkoi mbështetjen e qeverisë shqiptare për të bashkërenduar edhe më shumë aktivitetet e Shkollave Politike nga Kosova dhe Shqipëria. Shkolla Politike e Prishtinës, sikurse edhe 15 shkolla politike nga rajoni i Evro-Azisë merr pjesë çdo vit në Forumin Botëror për Demokraci që organizohet nga Këshilli i Evropës.