Beogradi e di se BE s’e ndryshon formulimin për Kosovën

Nënkryetarja e Qeverisë së Serbisë për integrime evropiane, Suzana Grubjeshiq ka vlerësuar se nuk është mundshme që Bashkimi Evropian (BE) ta ndryshojë formulimin për “tërësinë tokësore të Kosovës”, të cekur në Strategjinë për Zgjerim të BE-së. Ajo ka thënë për gazetën “Blic” se “komisionari evropian, Stefan Fule ka thënë se Komisioni nuk do ta ndryshojë formulimin, ama pasi që është futur në çastin e fundit, druhem se Komisioni nuk është pyetur shumë aty”, raporton RTK-ja.
Pyetjes kush ka ndikuar që formulimi “tërësia tokësore” të futët në dokument, Grubjeshiq është përgjigjur se kjo është “ndonjëra nga vendet anëtare të BE”. Të rikujtojmë se presidenti Nikoliq ka deklaruar të shtunën se nga BE-ja pret ta ndryshojë formulimin “tërësia tokësore e Kosovës”, e papranueshme për Serbinë dhe atë ta zëvendësojë me “territori i Kosovës”.
Gjithashtu për “Blic”, Kryetari i Partisë Liberal Demokratike, Çedomir Jovanoviq ka thënë se presidenti Nikoliq ka bërë “gabim kardinal” me deklaratën për ndryshimin e formulimit të papranueshëm për Serbinë.
“Presidenti e ofroj formulimin e vet “respektimi i territorit të Kosovës” që gjoja është më e mirë për Serbinë. Ky është gabim kardinal sepse mbështetet në ide aq herë të dështuara se problemi i Kosovës mund të zgjidhet ashtu që secili fjalët do t’i interpretoj sipas mënyrë së vet, që formulimet do të jenë të përkthehen ndryshe në serbisht, shqip e anglisht”, ka thënë Jovanoviq.
Sipas tij nuk është e re “që në Qeveri dhe Presidencë po shfrytëzohet çdo rast për t’u demonstruar muskujt patriotik në temat për të cilat paraprakisht jemi gjykuar në mossukses”.
Jovanoviq raportin e Komisionit Evropian për përparimin e Serbisë, e ka cilësuar si diagnozë të shanseve të lëshuara, kalkulimeve gjatë tetë viteve të shkuara, si dhe të mosgatishmërisë që në reforma “të grithet nën sipërfaqe dhe diçka të ndryshohet”.