BE: Zgjedhjet e Marty komplikojnë dialogun me Serbinë dhe atë për viza

Bruksel, 23 dhjetor – Hungaria, si vend që prej fillimit të vitit të ri merr timonin e drejtimit të Bashkimit Evropian, mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe pret që ky të nisë sa më shpejt që të jetë e mundur. Këtë e ka thënë në Bruksel ministri i Jashtëm i këtij vendi duke folur para gazetarëve për prioritetet e Hungarisë në gjashtë muajt e parë të vitit 2011.
Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Janos Martonyi, duke u përgjigjur në një pyetje të “Kohës Ditore” lidhur me rolin që mund të ketë kryesuesi i radhës së BE-së në raportet e Kosovës dhe Serbisë, dhe dialogut të aq përmendur në Bruksel, tha se në një mënyrë “është i dëshpëruar pse ky dialog nuk ka filluar, por ka pasur arsye objektive për këtë”. Martony rikujtoi se në bazë të Traktatit të Lisbonës disa kompetenca i janë bartur përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, por edhe Hungaria, aq sa mundet dhe aq sa i takon, sipas aranzhimeve të reja në BE, do të orvatet të luajë një rol në këtë dialog. Shefi i diplomacisë hungareze tha se “do të ishte mirë që dialogu të nisë së pari me disa tema që janë neutrale sa i përket statusit për të ardhur më vonë në tema të tjera”.
Në anën tjetër, në BE jozyrtarisht e pranojnë se parregullsitë në zgjedhje sikur edhe raporti famëkeq i raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, ka komplikuar situatën dhe mund të kenë ndikim edhe në përgatitjen e dialogut. Por për këtë në BE tash për tash nuk dëshiron askush të flasë zyrtarisht.
“Ne kemi kërkuar nga Dick Marty që të dalë e të sjellë dëshmitë për pohimet e tij. Por kjo punë do të zgjasë dhe dëmi tashmë është bërë”, ka thënë një diplomat i BE-së, ndërsa ka rikujtuar se “Kosovës nuk do t’i ndihmojë as fakti se aq shumë diplomatë kanë dëshmuar parregullsi të rënda në zgjedhje“.
Duke u përgjigjur në pyetjet se pse insistojnë se duhet sa më parë të nisë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, kur së paku deri në muajin shkurt Kosova nuk do të ketë qeveri të re, shumë zyrtarë të BE-së përgjigjen: “Ne kemi thënë se duam nisje të dialogut sa më shpejt, por po ashtu kemi thënë se duam që ai dialog të përgatitet mirë dhe të gjitha palët të jenë mirë të përgatitura. Kjo vlen për ne si BE, vlen për Beogradin, por edhe për Prishtinën po ashtu. E Prishtina duket se ka nevojë për më shumë kohë“, thonë këto burime.
Sa u përket zgjedhjeve, zyrtarët e BE-së pohojnë se tash është e qartë se nuk mund të nxitohet me krijimin e institucioneve të reja pasi që parregullsitë në zgjedhje janë identifikuar dhe pranuar edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. “Ne do të donim që Kosova të ketë sa më parë institucione. Kosova po humb shumë në këtë moment. Ja, për shkak të fushatës zgjedhore humbi edhe 20 milionë euro të asistencës makrofinanciare të BE-së. Por po ashtu duam që në Kosovë të respektohen procedurat”, tha një diplomat i Bashkimit Evropian.
Parashikimet për një nisje të dialogut të vizave me Kosovën gjatë këtij viti nuk u realizuan dhe mbetet një e panjohur se kur mund të ndodhë një gjë e tillë. Me gjithë deklaratat optimiste të zyrtarëve kosovarë, por edhe të disa zyrtarëve në Bruksel, kryesisht të atyre që nuk e kanë në dorë dosjen e liberalizimit të vizave, ky vit po përfundon pa dhënien e strategjisë për këtë.
Tash para Kosovës nuk është vetëm kushti për të bindur Komisionin Evropian se Kosova ka kapacitete për të riintegruar të kthyerit, por edhe kur Komisioni ta bëjë verifikimin e kësaj duhet më parë t’i njoftojë vendet anëtare të BE-së e atëherë eventualisht mund të nisë dialogu i vizave. “Nuk duam ta lëmë Kosovën si vrimë të zezë në rajon në asnjë aspekt, e as në aspektin e liberalizimit të vizave. Por kjo punë me Kosovën do të zgjasë shumë, shumë më tepër sesa që disa mendojnë. Kjo mund të matet me vite e jo me muaj”, ka thënë një diplomat i lartë i BE-së për “Kohën Ditore”.
Ndërkaq komisionerja e BE-së për Punë të Brendshme, Cecilia Malmstrom, e cila edhe e ka në dorë dosjen e dialogut të vizave mes BE-së dhe Kosovës, ka thënë se Kosova duhet të bëjë më shumë në luftë kundër krimit të organizuar dhe trafikimit, sikur që pritet një gjë e tillë edhe nga vendet e tjera.
E pyetur nga “Koha Ditore” që të komentojë raportin e Dick Martyt, i cili nxjerr një varg akuzash ndaj Kosovës dhe a mund të ketë ky raport ndikim në vendimin për nisjen e dialogut për vizat me Kosovës, Malmstrom tha: “Nuk e kam lexuar raportin, por vetëm kam lexuar atë që është raportuar në media. Nuk e kam takuar Dick Martyn e as ndonjë lider të Kosovës që nga zgjedhjet. Prandaj edhe nuk mund të komentoj këtë“, ka thënë ajo.