BE: Krimi i organizuar në Kosovë “bën çfarë do”

Bruksel, 28 tetor – Komisioni Evropian ka vënë në listën e përparësive të punës së vet për vitin e ardhshëm sundimin e ligjit si një qëllim kryesor të hapjes së dyerve për anëtarët e rinj. Kjo u pa dje në Bruksel gjatë debatit në Parlamentin Evropian rreth luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor.
Komisioni Evropian në “prioritetet strategjike për 2012” ka theksuar se po udhëhiqet nga parimi i zgjerimit të Bashkimit, porse negociatat për anëtarësim do të lidhen me përparimet e arritura në vendet kandidate, sidomos nga aspekti i respektimit të shtetit juridik.
Në Parlamentin Evropian delegacioni për marrëdhëniet me vendet e Ballkanit Perëndimor ka dëgjuar raportet e deputetëve të organizatave joqeveritare nga Mali i Zi, Maqedonia dhe Shqipëria rreth asaj se çfarë po bëjnë autoritetet e tyre për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
U tha se të gjitha qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë filluar të ndërtojnë struktura shtetërore për betejë kundër krimit të organizuar e korrupsionit, porse në praktikë po veprojnë jo si duhet dhe pa mbështetje të vërtetë.
U përfundua se organizatat joqeveritare dhe mediet e pavarura, në masën sa janë në këto vende, ashtu sikurse pak a shumë gjetiu në rajon, jo vetëm që kanë pak mundësi të nxisin dhe të mbikëqyrin këtë betejë, por autoritetet jo rrallë e pengojnë këtë ose e heshtin.
Në debat, disa deputetë të Parlamentit Evropian kanë kritikuar posaçërisht gjendjen në Kosovës, duke vlerësuar se atje krimi i organizuar “bën çfarë dëshiron” dhe prandaj Komisioni Evropian në raportet e veta duhet të paraqes shumë më qartë e më realisht se çfarë është situata atje.