Banorët e lagjes “Bair ” të Mitrovicës për ujë sërish bllokojnë rrugën

Mitrovicë, 29 qershor – Një pjesë e banorëve të lagjes Bair të Mitrovicës, për të dytën herë gjatë këtij muaji, kanë bllokuar rrugën për shkak të mungesës së ujit të pijes.
Dy javë më parë banorët e kësaj lagjeje kishin bllokuar rrugën dhe kishin marrë premtime nga zyrtarë komunal dhe të ujësjellësit, se do të punohet në zgjedhjen e problemit, por sipas tyre asgjë nuk është vepruar.
Ramadan Bajrami njëri nga banorët e lagjes tha se që nga pas lufta ballafaqohen me mungesën e ujit të pijes dhe kjo po ju rëndon jetën.
” Ujin për pije e blejmë, ndërkaq për tu pastruar dhe për të mbajtur higjienë e kemi shumë të vështirë për shkak se nuk kemi furnizim me ujë” ka thënë ai, duke shtuar se inkasantët e ujësjellësit na kërkojnë nga 12 euro për muaj edhe pse ne në këtë lagje nuk kemi ujë gjate ditës asnjëherë.
Për Gani Smajlin, një banor tjetër, arsyetimi i ujësjellësit se kjo lagje është në një pozitë të lartë që e vështirëson furnizimin me ujë , dukej i paqëndrueshëm, sepse siç tha, disa fshatra janë në një lartësi më të madhe dhe kanë ujë .
Për dallim me protestën paraprake kur para banorëve ishte nënkryetari i komunës, Riza Haziri, sot nuk erdhi askush nga përfaqësuesit e Komunës për të biseduar për hallet dhe kërkesat e këtyre banorëve.
Ndërkaq drejtori teknik i ujësjellësit regjional të Mitrovicës, Kadri Istrefi, u tha banorëve se janë duke punuar në këtë drejtim
“Projekti tashmë ka filluar por ende nuk kanë ardhur gypat, shpresoj se kjo do të rregullohet shumë shpejtë”, tha ai. Rruga është debllokuar pasi për nesër është lënë një takim mes përfaqësuesve të banorëve, ujësjellësit, komunës dhe policisë.