Bajrami bokson në Podujevë

Boksieri profesionist Tefik Bajrami më 11 maj do të boksojë në vendlindjen e tij, Podujevë. Kundërshtar i Bajramit është hungarezi Attila Makula. Ky 37-vjeçar ka shtatë fitore e 12 humbje. Ndërkohë, Bajrami 36-vjeçar ka gjashtë fitore e një humbje në boksin profesionist. Ai karrierë ka bërë edhe në kikboks. “Tefiku është në formën më të mirë të mundshme të karrierës së tij. Është i gatshëm që të përballet me çfarëdo boksieri”, ka thënë trajneri i Bajramit, Naser Tupella. Në palestrën e sporteve në Podujevë më 11 maj do të zhvillohet edhe një meç profesionist. Armand Cullhaj nga Shqipëria do të ketë përballë hungarezin Mihajl Halas. Po ashtu do të zhvillohen edhe tri meçe të boksit amator.