Arrestohen 3 persona për përgatitje të atentatit ndaj Ramës

Tiranë, 30 janar – Policia e shtetit ka arrestuar tre persona të akuzuar për përgatitje për të kryer vrasje. Ata dyshohet se kishin plan dhe po përgatiteshin për eliminimin e Edi Ramës, të premten, më 27 janar, gjatë protestës së homazhit të opozitës për tre viktimat e rënë në protestën e dhunshme të 21 janarit.
Plani i tyre u zbulua nga përgjimet e Shërbimit Informativ të Shqipërisë (SHISH). Lajmi është konfirmuar nga News 24 nga burime të policisë së shtetit.
Si rezultat i një hetimi të kryer në bashkëpunim nga Drejtoria Kundër Krimeve të Rënda, Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë dhe Prokuroria për Krimet e Rënda, me qëllim parandalimin e një akti kriminal, u arrestuan Luan Zenel Rami (37), Fatos Hamit Rami, (29) dhe Afrim Kica (33), të tre nga Burreli, banues në Tiranë.
Ndalimi i tyre u bë pasi po siguronin kushte dhe mjete materiale për të kryer vrasje, parashikuar nga neni 80, i Kodit Penal.
Materialet hetimore në ngarkim të tyre i kanë kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Të tre personat të dielën do të dalin në gjykatë, ku pritet t’u konfirmohet akuza.