AKP: Serbia dhe Mali i Zi tentojnë të shesin pasuritë e Kosovës

Prishtinë, 7 shkurt – Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) kohëve të fundit ka kuptuar se disa nga ish Republikat e Jugosllavisë, me theks të veçantë ajo e Serbisë dhe e Malit të Zi kanë bërë dhe po bëjnë tentativa për shitjen e Ndërmarrjeve Shoqërore të Kosovës dhe pasurive të tyre, të cilat gjenden qoftë në territorin e Kosovës apo edhe jashtë saj, përmes shpalljes së ankandeve publike. Agjencia tërheqë vërejtjen se këto ndërmarrje dhe pasuritë e tyre janë dhe i takojnë Republikës së Kosovës.
Me nenin 159 paragrafi 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës është përcaktuar në mënyrë të qartë se: “Të gjitha interesat në pronësi shoqërore në prona dhe ndërmarrje në Kosovë do të jenë në pronësi të Republikës së Kosovës”.
Gjithashtu nenin 5 të Ligjit për Agjencinë, është përcaktuar në mënyrë shprehimore se Agjencia është e autorizuar që të administroj me Ndërmarrjet në pronësi Shoqërore të vendit tonë, si dhe me asetet e tyre, pa marrë parasysh se a gjenden brenda territorit të Republikës së Kosovës apo jashtë territorit të saj.
Me qëllim të informimi të drejt të opinionit publik, e posaçërisht të qytetarëve të cilët kanë interesimin për të marrë pjesë në privatizimin e NSH-ve të vendit tonë apo të aseteve të tyre, dëshirojmë të sqarojmë se Agjencia është i vetmi institucion kompetent për privatizimin e tyre.
Tendencat për privatizimin e NSH-ve të vendit tonë apo të aseteve të tyre, nga institucionet e vendeve të tjera fqinjë me Kosovën, duke përfshirë edhe institucionet e Republikës së Serbisë, nuk gëzojnë kurrfarë mbështetje nga legjislacioni i vendit tonë e as nga legjislacioni ndërkombëtarë. Transaksionet e tilla, janë plotësisht të papranueshme dhe konsiderohen inekzistente si për Agjencinë, ashtu edhe për institucionet e tjera të vendit tonë, dhe si të tilla nuk kanë kurrfarë vlere juridike.
Agjencia Kosovare e Privatizimit është institucion i pavarur publik i Republikës së Kosovës, e themeluar me Ligjin e Kuvendit të Kosovës nr. 03/L-067. Agjencia ka në mandatin e saj ligjor, administrimin e Ndërmarrjeve Shoqërore të vendit, administrimin me asetet, apo pasuritë e tyre dhe privatizimin e tyre në përputhje me ligjin e aplikueshëm në Kosovë. Agjencia është themeluar si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (ish AKM).
AKP që nga themelimi i saj, është duke zhvilluar aktivitetet për përmbushjen e kompetencave dhe përgjegjësive ligjore të saj, me synimin përfundimtar privatizimin e suksesshëm të të gjitha Ndërmarrjeve Shoqërore të vendit tonë, thuhet në një komunikatë të AKP-së.