AKK-ja do të verifikojë pasurinë e zyrtarëve të lartë

Prishtinë, 3 qershor – Agjencia Kundër Korrupsionit do të bëjë verifikimin e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë të shtetit. Këtë zotim e ka dhënë shefi i AKK-së, Hasan Preteni, gjatë një takimi me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi. Megjithëkëtë, Preteni ka thënë se është i pamundur verifikimi i deklarimit të pasurisë së të gjithë zyrtarëve, mirëpo do të ketë raste të caktuara. Ai gjithashtu ka thënë se procesi i deklarimit të pasurisë nuk ka përfunduar me publikimet e djeshme. “Do të shqyrtohen të gjithë formularët dhe ata të cilët nuk janë plotësuar sipas ligjit do të kërkohet që në afate të caktuara të plotësohen”, ka thënë Preteni. Ky i fundit ka kërkuar nga qytetarët, të cilët mund të kenë informata në lidhje me ndonjë rast të fshehjes së pasurisë ose konfliktit të interesit, të lajmërojë agjencinë. Ndërsa kryeministri i Kosovës ka përgëzuar AKK-në për raportin, duke e cilësuar si ndër më të mirin në rajon. Gjatë ditës së djeshme, AKK-ja ka publikuar pasurinë e mbi 1 mijë e 500 zyrtarëve të lartë shtetëror.