AKI-ja autorizohet për të vepruar

Prishtinë, 20 maj – Rekrutët e Agjencisë së Inteligjencës kanë marrë dritën jeshile për veprim në terren.
Janë autorizuar të bëjnë mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen e informatave për aktivitete që rrezikojnë funksionimin e rendit kushtetues dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, por edhe që rrezikojnë sigurinë globale.
Krejt aktiviteti i tyre do të bazohet në udhëzimet e përgjithshme të përfshira në Platformën vjetore të politikës së inteligjencës dhe sigurisë, të cilën e ka miratuar të mërkurën Qeveria. Ky dokument shtatëfaqësh përmban prioritetet dhe udhëzimet e përgjithshme të punës së AKI-së për 2011-n. Janë gjithsej 9 objektiva dhe interesa strategjike të Kosovës në fushën e sigurisë që ka vënë AKI-ja, janë identifikuar 5 forma të mundshme të rrezikshmërisë dhe janë përcaktuar 7 aktivitete kryesore për t’u ndërmarrë.
Platforma është klasifikuar si dokument sekret, por “Koha Ditore” ka siguruar një kopje të saj. Para se të miratohet në Qeveri, versioni i platformës që është propozuar nga drejtori i AKI-së ka marrë bekimin e Këshillit të Sigurisë të Kosovës dhe Presidentit të Republikës. Me të ka mbetur të informohet vetëm organi mbikëqyrës parlamentar.
Objektiv të parë AKI-ja ka renditur ruajtjen dhe mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial, rendit kushtetues, integritetit të institucioneve, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik dhe kërcënimet e tjera ndaj sigurisë. E, në kërcënimet e brendshme dhe të jashtme ndaj sigurisë së Kosovës janë përfshirë: terrorizmi, spiunazhi, sabotimi, krimi i organizuar dhe aktivitetet që bien ndesh me rendin kushtetues dhe me të drejtën humanitare ndërkombëtare.