AK fton Berishën e Thaçin: Hiqni barrierat doganore

Kryetari i “Aleancës Kuq e zi”, Kreshnik Spahiu ka kërkuar sot nga kryeministrat e Shqipërisë dhe të Kosovës që të heqin barrierat kufitare mes dy shteteve.
Në një tryezë të AK-së për ekonominë, Spahiu theksoi se 28 Nëntori do të jetë afati i fundit për heqjen e doganave, në të kundërt kjo aleancë do të krijojë Beneluksin shqiptar.
“Ne i bëjmë një kërkesë publike kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, që brenda 28 nëntorit të heqin pikat kufitare dhe pikat doganore Kosovë Shqipëri. Nuk mund të ketë barriera brenda kufijve shqiptarë. Nëse Berisha nuk pranon të heqë barrierat, ne premtojmë se pas 28 nëntorit ne do të hartojmë një strategji me modelin e Beneluksit shqiptar”, tha Spahiu.
Sipas tij, është e pandershme që shqiptarët të paguajnë në dogana.
“Si mundet ne të planifikojmë një treg të përbashkët zhvillimi kur kemi barriera të vështira doganore. Ne kemi pika kufitare të njëjta, kemi gjuhën e njëjtë, jemi shqiptarë dhe paguajmë për mallrat e njëri-tjetrit në doganë”, transmeton BalkanWeb fjalët e Spahiut.
Spahiu theksoi se shqiptarët janë populli më i varfër në rajon, ndërsa për ta ndryshuar këtë gjendje kërkohet një lëvizje mbarëkombëtare.
“Ne duhet të bëjmë një aleancë me çdo shqiptar për të bërë të mundur kthimin e identitetit dhe krenarisë kombëtare dhe rritjes së mirëqenies ekonomike. Nuk mund të ketë shqiptar krenar nëse ata janë më të varfrit në Evropë, nëse ne jemi populli me emigracionin më të lartë në Evropë. Shqiptarët jo vetëm që janë në varfëri, por ata jetojnë edhe me çmimet evropiane”, tha pos tjerash kreu i AK-së.