Publikuar me datën: Sun, Mar 6th, 2011

AAK ankohet se Pacolli shkeli Kushtetutën

Prishtinë, 6 mars – Po pret të mbështetet me 30 nënshkrime të deputetëve një kërkesë që kanë hartuar juristët e AAK-së, e së cilës Gjykata Kushtetuese duhet t’i japë përgjigjen nëse presidenti Behgjet Pacolli ka shkelur Kushtetutën, kur në cilësinë e deputetit ka votuar për Qeverinë.
“Koha Ditore” citon burime nga kjo parti se kërkesa nuk është fare voluminoze. Kjo për faktin se shkelja e nenit 88, pika 1, nga kreu i shtetit ka qenë e qartë dhe për të cilën ka dëshmi të dokumentuara, siç janë fotografitë dhe xhirimet.
Në AAK nuk e kanë mohuar këtë informatë.
Besnik Tahiri, anëtar i Kryesisë në këtë parti, nuk ka qenë në gjendje të konfirmojë nëse hartimi i saj është kryer. Por ka thënë se juristët e AAK-së kanë punuar në të.
“Aleanca është duke e diskutuar me juristët e vet për ta bërë kërkesën dhe brenda afatit ligjor do të kërkojë nënshkrimet e deputetëve”, ka thënë Tahiri. “Në këtë aspekt ne jemi deklaruar edhe më herët”.
Ky zyrtar i AAK-së ka treguar se çështja do të diskutohet edhe një herë në tavolinën vendimmarrëse të Kryesisë së partisë dhe pastaj do të veprohet për mbledhje të nënshkrimeve. Krahas mbështetjes nga deputetë të LDK-së, firmat në të pret të vihen edhe nga ata të lëvizjes “Vetëvendosje”.
“Meqë duhen 30 nënshkrime, natyrisht se llogarisim dhe besojmë që do të kemi mbështetje nga LDK-ja, ashtu qysh Aleanca e ka mbështetur në kërkesën që e kemi bërë, e që tash veç është e fajlluar në Gjykatën Kushtetuese”, ka shprehur besimin Tahiri. “Ne me të gjithë faktorin politik, i cili është në vijë me kërkesën tonë, gjithsesi do të bashkëpunojmë, për arsye se mendojmë që është në interes të rendit e të ligjit dhe të rregullit kushtetues që realisht të parandalojmë shkeljen, dhe në këtë rast shkelja ka qenë evidente”.
“Koha Ditore” ka raportuar në fund të javës së shkuar shkeljen e Kushtetutës nga presidenti Pacolli, pasi kishte konsultuar xhirimet gjatë momentit të votimit të Qeverisë. Pacolli shihet në xhirimin televiziv dhe në shumë foto me dorën e ngritur lart, duke e votuar kabinetin “Thaçi 2”.
Këtë e kishte bërë disa minuta pasi kishte dhënë betimin për president, moment ky që shënon fillimin e rrjedhjes së mandatit. Me këtë rast kreu i shtetit ka rënë ndesh me nenin 88, pika 1 të Kushtetutës, i cili ia ndalon kryerjen e ndonjë funksioni tjetër publik.
Edhe procesverbali i seancës së 22 shkurtit mund të jetë ndër provat që do të mund t’ia prezantojë Gjykatës Kushtetuese opozita, për të argumentuar shkeljen e Kushtetutës që ka bërë presidenti. Në të evidencohet vota e Pacollit. Në seancën e së enjtes Qeveria nuk ka gjetur mbështetje as te deputetët e PDK-së për të zhvlerësuar votën.
Ndërkaq Gjykata Kushtetuese ka pranuar të martën një kërkesë të opozitës, me të cilën kontestohet procedura e zgjedhjes së Pacollit president. Kërkesa, në mënyrën se si është bërë, që tash besohet se do të marrë përgjigje negative. Në të 34 deputetët e LDK-së dhe AAK-së nuk kanë përfshirë argumentin kryesor që pretendohet se do ta çonte në shkarkim Pacollin – votimin e tij për qeverinë në cilësinë e deputetit, pasi kishte dhënë betimin si president – por vetëm është kontestuar kushtetutshmëria e vendimit të Kuvendit për vënien e biznesmenit kontrovers në majë të pushtetit.
Nga pritja e aktvendimit të Kushtetueses në kërkesën rreth kushtetutshmërisë së procedurës së zgjedhjes së presidentit, mund të humbasë afati ligjor kur deputetët mund të deponojnë në gjykatë kërkesën e radhës. Prononcimet e zyrtarëve të LDK-së dhe puna e AAK-së në këtë lëndë, që nuk është bërë publike deri tash, ka shtyrë deputetët e “Vetëvendosjes” që të mendojnë për ta bërë vetë një kërkesë në Kushtetuese.
Glauk Konjufca, deputet i “Vetëvendosjes”, ka konfirmuar iniciativën që do të merrte ky subjekt për ta ngritur te gardiani i aktit më të lartë juridik çështjen e votës së presidentit.
“Nëse nuk kishin për të vazhduar këta (deputetët e LDK-së dhe AAK-së v.j.) me atë që e kanë filluar, atëherë ne mendojmë që kjo shkelja e tij (presidentit Pacolli v.j.) është serioze. Bile mendojmë që më serioze është shkelja që e ka gjetur ‘Koha Ditore’ dhe më e pakontestueshmja, më e dukshmja dhe më e argumentueshmja”, ka thënë Konjufca, që është edhe nënkryetar i Kuvendit. “Lëvizja ‘Vetëvendosje’ do të bënte diçka në këtë drejtim”.
Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë se po presin verdiktin e Kushtetueses në këtë kërkesë, para se të marrin një qëndrim të mundshëm për të deponuar kërkesën që lidhet me shkeljen e Kushtetutës nga presidenti. Ndërkaq Arben Gashi, deputet i kësaj partie, ka theksuar se paraprakisht Kushtetuesja do të tregojë nëse Pacolli është president, duke lënë të kuptueshme edhe ky se Pacolli nuk do të pandehet për shkelje të Kushtetutës.
Pavarësisht këtyre deklaratave, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Kujtim Shala, ka thënë se kjo parti nuk ka një qëndrim akoma, nëse duhet pritur përgjigjen në lëndën e parë apo brenda muajit duhet deponuar të dytën.
“LDK-ja nuk ka një qëndrim për një deponim të dytë. Nuk është përjashtuar si mundësi, por nuk lidhet me problemin e së parës”, ka thënë Shala. “Tash për tash nuk mund t’ju them kur mund të merret qëndrimi. Ndoshta gjatë javës së ardhshme, nëse takohet Kryesia”.
Gjykata ka dy muaj afat të vendosë në rastin e parë, kurse deputetët kanë vetëm një muaj afat që të deponojnë kërkesën për shkelje të kushtetutës nga Pacolli. Nëse LDK-ja pret verdiktin e Kushtetueses për ankesën e parë, siç ka thënë Beqiri, kjo nënkupton humbje e afatit deponim të ankesës së dytë.
Subjektet opozitare kishin thënë gjatë javës se kanë afat më shumë për ta proceduar ankesë të tillë në gjykatë, duke përdorur si shembull rastin e një kërkese të ngjashme në rastin e ish-presidentit Fatmir Sejdiu. Mirëpo gjatë një interviste në KTV, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka saktësuar se në rastin Sejdiu bëhej fjalë për cenim të vazhdueshëm të Kushtetutës, ndërsa rasti me Pacollin është tjetër.
Pikërisht kur e ka dëgjuar interpretimin e Hasanit, sa u takon afateve, deputeti Glauk Konjufca ka thënë të jetë e nevojshme që brenda tri javësh të bëhet kërkesa.
“Atëherë (kërkesa v.j.) duhet të dërgohet brenda këtij muaji”, ka thënë ky deputet i “Vetëvendosjes”, i cili ka shprehur besimin se do të gjejnë mbështetje edhe në LDK e AAK. “Unë besoj që nëse është në interes të drejtësisë dhe nëse ka deputetë të vullnetit të mirë, se kjo çështje është në të mirë të Kosovës, dhe që të mos kemi një president të paligjshëm, atëherë bashkë duhet të jemi’, ka shtuar ai.
Por Kujtim Shala i LDK-së nuk ka qenë në gjendje të thotë nëse si grup parlamentar LDK-ja do ta mbështeste kërkesën e ndonjërit subjekt politik opozitar, qoftë AAK-së apo “Vetëvendosjes”. Mirëpo ka thënë se deputetët individualisht e kanë lirinë të firmosin.
“Së pari, nuk ka qëndrim të partisë, pastaj nuk është shumë e rëndësishme kush merr iniciativën”, ka thënë Shala. “Në fund të fundit duhet nënshkrimi i deputetëve e ai deponohet sipas vullnetit të deputetëve”.
AAK-ja ka 11 deputetë, kurse “Vetëvendosja” 14. Edhe po u bënë bashkërisht, kërkesa e tyre nuk do të jetë e pranueshme ngaqë ajo duhet të ketë firmat e së paku 30 deputetëve.
Kaq deputetë kishin firmosur vitin e shkuar një kërkesë, me të cilën supozohej shkelja e Kushtetutës nga Fatmir Sejdiu, që atëkohë ushtronte dy funksione – atë të presidentit të shtetit dhe funksionin e kryetarit të LDK-së. Kushtetuesja kishte konstatuar se kjo përbënte shkelje të rëndë të Kushtetutës, që e çoi në dorëheqje Sejdiun nga funksioni i presidentit. Karriera politike e tij mori fund ngaqë në Kuvendin e përgjithshëm të LDK-së, që është organizuar pak kohë pas verdiktit të Kushtetueses, Sejdiu është mundur nga Isa Mustafa në garën për kryetar të partisë.
As kërkesa e parë adresuar në Gjykatën Kushtetuese rreth kontestimit të procedurës së zgjedhjes së presidentit, dhe as kjo që pritet të dorëzohet rreth shkeljes së Kushtetutës nga Behgjet Pacolli fill pasi është zgjedhur president, nuk përmbajnë supozimin për shkelje të nenit 70 të Kushtetutës.
Ky nen thotë se “deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk  i nënshtrohen asnjë mandati detyrues”, ndërsa vetë kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se kryeministri Hashim Thaçi u kishte thënë deputetëve të PDK-së që në rast se nuk do ta votonin Pacollin për president nuk do të futeshin në listën e kandidatëve për deputetë, ngaqë ky mosvotim do ta çonte vendin në zgjedhje të reja.  Ndërkaq edhe Fatmir Limaj, nënkryetar në PDK, nuk ka mohuar se presioni ishte ushtruar mbi deputetët.
Pacolli është zgjedhur president me 62 vota në raundin e tretë të votimit, i cili është organizuar pas një pauze që kishte kërkuar PDK-ja. Në raundin e parë kishte marrë tetë vota më pak, kurse në të dytin katra më pak.
Se deputetët kanë qenë nën presion, ka folur një SMS që pas raundit të dytë të votimit i është dërguar Pacollit nga këshilltari i tij, Essad Puskar, i cili gjatë seancës së Parlamentit ka qenë në mesin e korit diplomatik, e shumicën e kohës e ka kaluar afër ambasadorit amerikan Christopher Dell. Në të përflitet ambasadori amerikan: “Dell: Fatmiri dhe Jakupi ishin të frikësuar nga kërcënimi në fund, mendon se do të jetë ngushtë, por OK…”.

Ndihmo Radio zeri mitrovices


Kontribuesit qe ndihmuan

Radio zeri Mitrovices ne menyr vullnetare

=========================

Muaji: Korik-2011

=========================

Gzim Koadralia 50 euro

_________________________

Hashim Kryeziu 35 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

Sami Zeneli 10 euro

=========================

Muaji: Janar-2012

=========================

Ilaz Azemi 40 euro

_________________________

Sami Zeneli 25 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

ERISA 15 euro

=========================

Muaji: Shkurt-2012

=========================

Gzim Halili 150 euro

_________________________

Xhafer Gjaka 50 euro

_________________________

Enver Hajzeri 25

_________________________

Muaji: Nentor-2012

=========================

Aslani Rejser (Danimark) 10 euro

_________________________

Xhevahir Gjonaj 50 euro

_________________________

Jeton Aliu 25 euro

_________________________

Sponzor gjeneral

VideoKlipe


Kliko ne kto ikona per ta ndegjuar radion:
Winamp windows Media Player Real Player

Dergo Urimet tuaj ne Radio Mitrovica


Fluturime nga Zvicra Kërko Fluturime te lira për Kosove Dizajn:KosovaPLUS
All Rights Reserved RadioMitrovica.eu

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close