Publikuar me datën: Sun, Mar 28th, 2010

A duhet ndërruar emri i Kosovës?

  •   

TË SHUMTA DHE TË zjarrta kanë qenë debatet ndër qytetarët e Kosovës për vetë emrin e kësaj të fundit. Sidomos, gjatë këtyre dy dhjetëvjeçarëve të kaluar, kur Kosova filloi të dalë nga harresa e botës dhe të përmendet në qarqe ndërkombëtare. “O”-ja e famshme. “Përse të huajt po i thonë Kosovo dhe jo Kosova?!” Ngjasonte si një triumf i serbëve. “Ia kanë dalë t’i bindin këta të huajt se duhet t’i thonë si ata – Kosovo, dhe jo si ne ‘shqip’ – Kosovë!”
Shpesh shqiptarë të ndryshëm kanë bërë përpjekje që, pavarësisht se në cilën gjuhë të huaj të flisnin, të kujdeseshin që emrin ta shqiptonin me një “a” sa më të theksuar. Orë e ditë të tëra përkthyesit kanë bërë përpjekje, zakonisht sizifiane, për t’ua ngulitur në kokë të huajve se duhet shqiptuar emrin me “a” dhe jo me “o”.  Bile, një gjë e tillë ishte arritur t’i imponohej deri edhe atëbotë presidentit amerikan, Bill Clinton, i cili në prag të fillimit të fushatës ajrore të NATO-s kundër ish-Jugosllavisë filloi të thoshte “Kosova”, natyrisht duke përçuar njëkohësisht me këtë përdorim edhe porosinë e tij politike. Dhe kjo, sigurisht, se ngazëlleu shumicën e shqipfolësve.
Por, kryesisht këmbëngulja për “a”-në ka mbetur në suazat e tragjiko-komikes. E, siç dihet, lufta përfundimisht është humbur. Kjo është vulosur jo më larg se më 17 shkurt të para dy vjetëve, kur deputetët e Kuvendit të Kosovës e shpallën pavarësinë e vendit dhe nuk ndërruan asgjë nga emri në përdorim nga të huajt. Emri zyrtar “Kosova” mbeti vetëm në përdorimin institucional në shqipe, siç vazhdoi në anglishte dhe serbishte si “Kosovo”. A mund të bëhej më tepër? Ndoshta edhe – po. Por, a do t’ia vlente? Në këtë variant – nuk e besoj.

Kotësia e debatit Kosova Vs Kosovo

PERSONALISHT, GJITHNJË E KAM parë si të kotë dhe humbje kohe luftën e “a”-së dhe “o”-së dhe kjo për më shumë se një arsye. Por, jo edhe domosdoshmërisht të kotë, nëse do të ndërrohej krejtësisht emri i Kosovës.
Argumentet për të parën dhe për të dytën do të renditen në vijim. Kryesorja, besoj është e vështirë t’iu imponohet të tjerëve se si do ta quajnë një vend, qoftë ai edhe vendi yt. Kemi shumë shembuj në botë që na e ilustrojnë këtë. Duke filluar nga vendi ynë vëlla – Shqipëria. Vetëm shqiptarët e quajnë më këtë emër, kurse gjithë të tjerët me versionin e tyre të emrit Albania. Por, nëse dikush do të thoshte se Shqipëria, duke qenë një vend i vogël, shpesh pa shumë përkrahje nga aleatë, ose me probleme të brendshme, nuk ka mundur të imponohet, atëherë si shembull mund ta marrim një vend që na shpërfaqet krejt i kundërt me këtë përkufizim – Gjermaninë. Vendi që më së tepërmi në historinë e re ka bërë përpjekje të dominojë e të imponohet, ka kaluar shumë më keq (nëse mund të përdoret një fjalë e këtillë për këtë situatë) sesa Shqipëria. Vetë gjermanët e quajnë vendin e tyre Deutschland, por të tjerët: Gjermani, Almanya, Tyskland, Németország, Saksa, Nema?ka etj.etj. Shembuj të këtillë, ku edhe ne shqiptarët, pra edhe të tjerët, i quajmë vendet e tjera me emra të tjerë dhe vice versa, gjenden lehtë gjithandej.

Rasti Burma/Myanmar dhe Bombay/Mumbai

SIDO QË TË JETË, në të njëjtën kohë, ka edhe raste kur qeveri të ndryshme kanë ndërruar emrat e shteteve, ose të qyteteve të tyre, dhe kanë korrur sukses të konsiderueshëm në imponimin e tyre për të tjerët. Ndonëse kjo ka sjellë jo pak kokëçarje për institucionet e vendeve të tjera, si dhe mediat.
Rastet më të fundit janë ato që kanë të bëjnë me Burma-n (Birmaninë) ose Myanmari-n dhe Bombay/Mumbai-n. Në të dyja rastet, partitë në pushtet të këtyre vendeve kanë marrë vendim për t’i ndryshuar emërtimet respektive për shkaqe politike.
Në të parin, junta ushtarake që udhëheq vendin kishte vendosur që në vitin 1989 ta ndërronte emrin nga Burma “me ndikim kolonialist anglez” në Myanmar dhe kryeqytetin nga Rangoon në Yangon, me gjithë mospajtimet e opozitës prodemokratike në ekzil. Për shkak se junta në pushtet njihet si tiranike, qeveritë e SHBA-së dhe Britanisë vazhdojnë të refuzojnë ta njohin vendin me emrin e ri, por e kanë humbur betejën në krahasim me shumicën e qeverive dhe institucioneve të tjera të botës, përfshirë edhe OKB-në që e ka pranuar vendin si Myanmar. Edhe mediumet më të rëndësishme botërore, si Reuters, Associated Press, Agence France Presse e “The Herald Tribune” e kanë adoptuar emërtimin e ri, duke e imponuar në përdorimin e përgjithshëm botëror.
Në rastin e dytë, indusët vendosën ta heqin toponiminë e kolonizatorëve portugezë e britanikë nga emri i kryeqytetit të tyre ekonomik e financiar.
Në vend të Bombay, që besohet të rridhte nga përshëndetja portugeze “bom bahia” (version mirupafshim = “goodbay”), në Mumbai, që vjen nga indusët që flasin gjuhët marathi dhe gujarati. Emërtimi i ri, i zyrtarizuar më 1995, është pranuar nga shumica e përdoruesve anembanë globit, ndonëse edhe emri i vjetër vazhdon të jetë i pranishëm në masë më të vogël.
Tash, se a kanë dalë të ndryshojnë diçka këto vendime për ndërrim emrash në mirëqenien e banorëve të këtyre vendeve, ose në sytë e të huajve, vështirë të thuhet. Burma/Myanmar-i vazhdon të jetë nën sanksione nga shtetet kryesore të botës, për shkak të pushtetit despotik, kurse  Bombay/Mumbai ende gjallon mes kaosit politik e social, duke qenë edhe qyteti i dytë më i madh në botë.

Prejardhja serbe e emërtimit Kosov-a/o?

MËSIMET PËR KOSOVËN? Po, rasti i Kosovës mund të gjejë pika të përbashkëta, por edhe pika ndarëse me rastet e përmendura më lart. Në radhë të parë, përse çështja e “a”-së ose “o”-së në emrin Kosovë është jorelevante, rrjedh pikërisht nga fakti se vetë emri Kosovë, si i tillë, është problematik. Ndonëse, një çështje e mbajtur nën tepih nga shqiptarët, shumica e studiuesve të pavarur e kanë gjetur etimologjinë e emërtimit Kosovë nga fjala serbe “kos” – “mëllenjë” dhe prapashtesa “ovo”, tipike për gramatikën e serbishtes. Edhe Noel Malcolm – që çmohet edhe nga shqiptarët si studiuesi më i mirë i çështjes së Kosovës, por njësoj urrehet nga serbët për të njëjtën gjë – e njeh të njëjtën. Britaniku Malcolm shkruan se emri rrjedh nga Fusha e Kosovës, ku në vitin 1389 është zhvilluar Beteja e Kosovës e popujve të Ballkanit kundër otomanëve. Ai, po ashtu, thotë se fillimisht Fushë e Kosovës e kanë quajtur vetëm serbët, pasi që gjermanët iu janë referuar si “amselfeld”, ose latinët “campus merulae”.
Këtë teori e hasim sot gjithandej nga studiues të Ballkanit, shqiptarëve ose Kosovës. Dhe nëse pajtohemi se Kosova ka qenë e shqiptarëve, atëherë logjikisht do të duhej të gjendej versioni shqiptar i emrit. Këtu mbase do të duhej kthyer në kohët para ekspansionit të Mbretërisë Mesjetare Serbe (viti 1196) e deri te ilirët. Kjo natyrisht se në masën më të madhe u mbetet në dorë historianëve. Dhe një kontribut të çmuar mund të japë edhe monografia e vonuar për Kosovën (më mirë vonë, se kurrë), të cilën po e përgatit Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, e cila, siç raportohet, po hartohet nga 58 autorë nga fusha e historisë, gjeografisë, shkencës, kulturës, ekonomisë e të tjera.

A ia vlen?

SË KËNDEJMI, PYETJET: A duhet vazhduar të çahet koka për “a”-ja e “o”-ja, apo duhet ndryshuar krejtësisht emërtimin e vendit?
A duhet të kthehet si opsion sërish emërtimi nga kohët ilirike – Dardani?
A mund të bëhet kjo në realitetin e sotëm kosovar, kur qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre nuk mundën të vendosnin as për flamurin, himnin, stemat etj. etj.?
A do t’i sillte të mira apo komplikime procesit të njohjes së Kosovës nga shtetet e veçanta, ose organizatat e institucionet ndërkombëtare? Ose: A ia vlen fare të merremi me emrin, i cili tek e fundit përfaqëson vetëm formalen dhe jo edhe përmbajtjesoren, që në këtë rast do t’i binte mirëqenien e qytetarëve të Kosovës dhe përparimin e shtetit?

SIDOQOFTË, NJË ËSHTË e sigurt: ka ardhur koha të debatohet kjo çështje.
S’ka përse të mbetet tabu. Si thoni ju?

Ndihmo Radio zeri mitrovices


Kontribuesit qe ndihmuan

Radio zeri Mitrovices ne menyr vullnetare

=========================

Muaji: Korik-2011

=========================

Gzim Koadralia 50 euro

_________________________

Hashim Kryeziu 35 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

Sami Zeneli 10 euro

=========================

Muaji: Janar-2012

=========================

Ilaz Azemi 40 euro

_________________________

Sami Zeneli 25 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

ERISA 15 euro

=========================

Muaji: Shkurt-2012

=========================

Gzim Halili 150 euro

_________________________

Xhafer Gjaka 50 euro

_________________________

Enver Hajzeri 25

_________________________

Muaji: Nentor-2012

=========================

Aslani Rejser (Danimark) 10 euro

_________________________

Xhevahir Gjonaj 50 euro

_________________________

Jeton Aliu 25 euro

_________________________

Sponzor gjeneral

VideoKlipe


Kliko ne kto ikona per ta ndegjuar radion:
Winamp windows Media Player Real Player

Dergo Urimet tuaj ne Radio Mitrovica


Fluturime nga Zvicra Kërko Fluturime te lira për Kosove Dizajn:KosovaPLUS
All Rights Reserved RadioMitrovica.eu

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close