“Vetëvendosje” kërkon dorëheqjen e Bajram Rexhepit

Prishtinë, 16 maj – Në një konferencë për media, të mbajtur të dielën nga lëvizja “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar nga ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, që të japë dorëheqjen për shkak të dhunës së ushtruar kundër aktivistëve të kësaj lëvizjeje në ditën që ata po protestonin kundër ardhjes së Borko Stefanoviqit në Kosovë.
“Rexhepi duhet të japë dorëheqje për shkak të dhunës që është ushtruar, sepse nga ata që i kanë rrahur protestuesit, përveç Policisë së Kosovës, ka pasur edhe civilë të shumtë nga Ministria e Punëve të Brendshme, të cilët kishin dalë atë ditë për të shpërndarë shkelma e boksa, madje edhe mbi demonstruesit që ishin të prangosur dhe të shtrirë përtokë. Dhe më i shquari prej këtyre civilëve që ka ushtruar dhunë ishte Kushtrim Haliti, i cili jo vetëm që ka goditur fizikisht aktivistët e prangosur, por madje këtë gjë e ka bërë edhe duke u krekosur përpara medieve”, ka thënë Konjufca.
Ky person, sipas tij, ka qenë komisioner i PDK-së gjatë zgjedhjeve të fundit dhe ka shërbyer në qendrën zgjedhore me nr. 1996 E/ 07.
“Bajram Rexhepi është dashur të jepte dorëheqje edhe pas dhunës së pakontrolluar të policisë ndaj ‘Plisave’ para disa javësh. E nëse nuk jep dorëheqjen, kjo është shenjë e mjaftueshme që të kuptohet se ashtu siç po shkon deri më tani, policia do të shfrytëzohet për ndonjë dhunë të ardhshme kundër qytetarëve shqiptarë”, ka deklaruar ai. Ai gjithashtu ka thënë se Qeveria e Kosovës po vazhdon të veprojë si shërbim informativ i dhunës, ngase të enjten kishte edhe civilë.
Ndërsa Liburn Aliu, deputet i Kuvendit të Kosovës, ka thënë se shifrat e policisë që jepen për numrin e të lënduarve të “Vetëvendosjes” nuk janë të sakta, sepse numri i tyre është gjithsej 35 dhe 11 prej tyre janë të lënduar më rëndë, ndërsa 24 prej tyre janë të lënduar nga sprej dhe gaz lotsjellës. Në mesin e tyre edhe deputetët Albin Kurti, Liburn Aliu, Glauk Konjufca dhe Visar Ymeri.
“Kur flasim për rrahjet e aktivistëve të ‘Vetëvendosjes’ duhet të përmendim Albion Rexhepin dhe Avdyl Osmanin, të cilët janë rrahur brutalisht dhe pasi që janë lidhur janë tërhequr zvarrë dhe janë futur në ndërtesën e Qeverisë dhe janë rrahur edhe nga personat civilë. Pasi është lidhur dhe është shtrirë përtokë Avdyl Osmani, është goditur me shkelma dhe grushte nga civili që ne e kemi identifikuar që quhet Kushtrim Haliti dhe foton e tij e kemi publikuar. Dua të theksoj se Albion Rexhepi është arrestuar jashtë rrethojave të ndërtesës së Qeverisë. Ka qenë duke e valëvitur flamurin kombëtar, i është hequr flamuri, është tërhequr zvarrë, është futur brenda rrethojës dhe është lidhur. Dhe pasi është futur në ndërtesë të Qeverisë është rrahur edhe nga personat e tjerë civilë njëjtë sikurse edhe Avdyl Osmani”, ka thënë Aliu.