“Economist”: Pacolli, mik i mirë i Gadafit

Prishtinë, 26 shkurt – Mediat ndërkombëtare nuk kanë të ndalur duke shkruar për veprimet e presidentit të Kosovës Behgjet Pacolli. Revista britanike “Ecomonist”, duke u marrë me miqtë e Gadafit nga hapësirat e ish-Jugosllavisë, përmend edhe emrin e presidentit aktual të Kosovës Behgjet Pacolli. Më i miri ishte padiskutueshëm Tito, por miq të mirë të Gadafit janë edhe Stipe Mesiq, ish-president i Kroacisë, Haris Silajxhiq i Bosnjës, Boris Tadiq i Serbisë, si dhe presidenti i sapozgjedhur i Kosovës, Begjet Pacolli, shkruan Ekonomist.
Kjo revistë gjithashtu kujton episodin poshtërues të vitit të kaluar me rastin e vizitës së delegacionit të AKR-së në Libi. “Në Ballkan u diskutua gjatë kur Pacolli dërgoi një delegacion të madh të kosovarëve në Libi, si pjesë e përpjekjes për t’ia ndryshuar orientimin pro-serb, dhe për ta bërë atë që të njohë pavarësinë e Kosovës. Në një pikë të agjendës, i gjithë delegacioni u dërgua në mes të shkretëtirës për ta takuar liderin libian. Me të arritur, Gadafi urdhëroi ata që të këndonin dhe të kërcenin. Kur ata u lodhën dhe u ndalën, u qortuan nga një ndihmës. Më vonë koloneli i mirë u tha se mund të ndalonin, para se t’i linte për të shtuar se ai kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës derisa liderët e tyre vazhdojnë të mbesin kukulla të Amerikës. Me këtë kosovarët e poshtëruar u kthyen në shtëpi”, përfundon artikulli i “Economist”.